Ukraina shënon 31-vjetorin e pavarësisë

24 gusht 2022 | 10:15

Ukraina shënon të mërkurën 31-vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Po këtë ditë bëhen gjashtë muaj prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës.


Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona, janë zhvendosur miliona të tjerë dhe dëmet materiale sa shkojnë e rriten.

Kryeqyteti ukrainas, Kiev dhe disa qytete tjera të mëdha, kanë ndaluar festimet publike, pas paralajmërimeve se Rusia mund të përdorë këtë ngjarje për të sulmuar infrastrukturën civile dhe qeveritare.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë banorëve që të jenë vigjilentë teksa festojnë, pasi përvjetori i pavarësisë përkon me gjashtëmujorin e nisjes së luftës.

“Është një ditë e madhe për të gjithë ne – është, fatkeqësisht, e rëndësishme edhe për armikun tonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj provokimeve ruse, meqë sulmet brutale janë të mundshme”, ka thënë Zelensky në orët e vona të 23 shkurtit.

Zelensky ka thënë se Ukraina do të marrë edhe kontrollin e Gadishullit të Krimesë, të cilin e ka aneksuar Rusia më 2014.

Në ditën e shënimit të përvjetorit të 31-të të pavarësisë, Zelensky ka thënë se planifikon të ndajë çmime për ukrainasit që kanë kontribuuar në forcimin e shtetit.

Në vend të paradës, pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara janë vënë në rrugën kryesore të Kievit, si përkujtim për tentimet e dështuara të Moskës që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas në ditët e para të luftës.

Uashingtoni po ashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë këtë përvjetor për të nisur sulme më të mëdha.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Bankës Qendrore të Gjermanisë ka paralajmëruar se normat…