Ukraina sulmon një tjetër territor rus, hedh bomba mbi aeroportin ushtarak
Ushtria ruse bën me dije se ka mundur të shmangë me sukses një ofensivë të forcave ukrainase për të marrë kontrollin e një tjetër zone kufitare brenda Rusisë, atë të Bryansk.
Prej javësh tashmë, trupat e Kievit kanë marrë kontrollin e Kurskut, një zhvillim ky që edhe nga shumë zyrtarë të lartë perëndimorë konsiderohet si një goditje e rëndë për narrativën e luftës së presidentit Putin.
Rajoni po përballet me sfida të shumta dhe mijëra njerëz vijojnë të largohen nga banesat për shkak të bombave dhe dronëve që po fluturojnë mbi kokat e tyre në çdo moment.
Lufta me dronë është intensifikuar dhe së fundmi 3 avionë rusë u shkatërruan totalisht, ndërsa 5 të tjerë u dëmtuan pasi mjetet “kamikazë” pa pilotë ranë në aeroportin ushtarak rus në Savasleyka, në lindje të Moskës në rajonin e Nizhny Novgorod.
Presidenti Zelensky vijon t’iu thurë elozhe trupave ushtarake ukrainase për ofensivën e tyre në Kursk dhe kontrollin mbi këtë territor, teksa shton se ka marrë informacione të reja nga drejtuesit e ushtrisë se kanë forcuat pozitën mbrojtëse në Pokrovsk të Donetskut.
Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Ukraina nuk ishte konsultuar me Gjermaninë në lidhje me inkursionin e 6 gushtit në Rusi dhe se ai priste që një operacion i tillë ushtarak të ishte i kufizuar në kohë dhe territor.
Në një konferencë shtypi në Kishinau, pas bisedimeve me presidenten moldave Maia Sandu, Scholz tha se Berlini po monitoronte nga afër zhvillimet e mëtejshme të inkursionit të forcave të Kievit në territorin rus.