Ukraina thotë se i rrëzoi 26 dronë rusë gjatë natës
Rusia e ka sulmuar Ukrainën me 38 dronë gjatë natës, tha të martën forca ajrore e Kievit, duke shtuar se i rrëzoi 26 prej tyre.
Megjithatë, porti i Danubit për eksportimin e drithërave ukrainase, Izmail, u godit sërish.
Dronët që depërtuan e goditën infrastrukturën përreth Izmailit, duke i dëmtuar më shumë se 30 automjete dhe duke i lënduar dy vozitës gjatë sulmit që zgjati dy orë, tha guvernatori rajonal i Odesas, Oleg Kiper.
Që nga korriku, kur Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara e cila mundësonte eksportimin e sigurt të drithërave përmes Detit të Zi, Rusia i ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës së Ukrainës për eksportimin e drithërave në jug të Odesas dhe në rajonet e Mikolavit.
“U regjistrua lëshimi i 38 mjeteve ajrore pa pilot, Shahed-136/131, nga drejtime juglindore”, tha forca ajrore në Telegram.
Forca ajrore dhe njësitë ushtarake i “shkatërruan 26” dronë të prodhuar nga Irani, shtoi ajo.
Izmail, i cili ndodhet në kufi me anëtaren e NATO-s, Rumaninë, është shndërruar në një rrugë kryesore të eksportit për prodhimet bujqësore të Ukrainës, qëkur Rusia u tërhoq nga marrëveshja për drithërat.
Ky qytet është sulmuar vazhdimisht nga dronët rusë gjatë natës në javët e fundit.
Rusia dhe Ukraina janë dy fuqi të madhe bujqësore, furnizimet e të cilave janë jetike për sigurimin e ushqimit botëror.
Pushtimi i Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit të kaluar – dhe si pasojë sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë – i kanë destabilizuar tregjet botërore dhe furnizimin me drithëra.
Si pasojë e sulmit gjatë natës së fundit, katër persona u plagosën në fshatin Kiselivka në rajonin e Hersonit, tha guvernatori Oleksandr Prokudin./REL/