Ukraina thotë se ia ka goditur Rusisë edhe një luftanije
Marina ukrainase raportohet se ka goditur një anije të flotës ruse në Detin e Zi, duke përfshirë anijen e shpëtimit Kommuna në Sevastopol. Zëdhënësi i marinës ukrainase, Dmytro Pletenchuk, ka konfirmuar sulmin, ndërsa edhe guvernatori i vendosur nga Rusia në Krime, Mikhail Razvozhayev, ka njoftuar se një sulm “raketor” ka ndodhur ndaj një anije luftarake ruse.
Ukraina ka thënë se marina e saj e ka goditur edhe një anije të flotës ruse në Detin e Zi.
Marina ukrainase e goditi anijen e shpëtimit Kommuna në qytetin e madh të Krimesë së okupuar, Sevastopol, tha zëdhënësi i marinës ukrainase, Dmytro Pletenchuk, më 21 prill.
“Shkalla e dëmeve është duke u verifikuar”, ka shkruar Pletenchuk në Facebook.
Ndërkohë, Mikhail Razvozhayev, guvernatori i vendosur nga Rusia në gadishullin ukrainas që Moska e uzurpoi më 2014, tha se është zmbrapsur një sulm “raketor” ndaj një luftanijeje ruse.
“Rënia e copëzave shkaktoi zjarr të vogël, i cili u shua shpejt”, ka thënë Razvozhayev në Telegram, raporton Radio Evropa e Lirë.
Prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022, forcat e Kievit kanë arritur të fundosin anijet kyçe të marinës ruse, sikurse luftanijet Moska dhe Sergei Kotov, e të tjera. Disa anije të tjera janë dëmtuar.
Shumica e anijeve të marinës ruse, që gjendeshin në bazën në Sevastopol të Krimesë të aneksuar paligjshëm nga Moska, janë zhvendosur në Novorusia.
Ukraina e sulmon flotën ruse me dronë detarë dhe raketa lundruese, dhe ka pretenduar se deri më tani ka shkatërruar një të tretën e anijeve të marinës së Rusisë.
Ndërkaq, presidenti i Ukrainës ka thënë se votimi i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për të miratuar një paketë ndihme ushtarake të vonuar prej 61 miliardë dollarësh tregoi se vendi i tij nuk do të braktiset nga perëndimi në përpjekjet e tij për të luftuar pushtimin rus.
Volodymyr Zelensky, në një intervistë me televizionin amerikan, ka deklaruar se votimi i së shtunës tregoi se Ukraina nuk do të ishte “një Afganistan i dytë”, qeveria properëndimore e të cilit u rrëzua gjatë një tërheqjeje të udhëhequr nga SHBA në verën e vitit 2021.