Ukraina thotë se ka penguar sulmet ajrore ruse
Ukraina ka shkatërruar katër raketa lundruese ruse, përderisa Kievi ka lëshuar një alarm mbarëkombëtar për sulme ajrore gjatë natës ndërmjet 26 dhe 27 gushtit, tha përmes Telegramit Forca Ajrore ukrainase. Rusia ka raportuar se ka zmbrapsur dy sulme me dronë në territorin e saj.
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake në Kiev, ka raportuar se janë shkatërruar të gjitha raketat që ishin nisur drejt Kievit. Nuk ka raportime për viktima apo dëme.
Forca Ajrore tha se raketat ishin lëshuar nga bombarduesit strategjikë.
Alarmi për sulme ajrore u ndal në orën 06:00, sipas kohës lokale në Kiev.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 27 gusht se ka rrëzuar dy dronë gjatë natës. Një u rrëzua në rajonin Brjansk, ndërkaq tjetri në Kursk. Nuk ka raportime për viktima apo dëme.
Sulmet në Rusi vijnë një ditë pas një sulmi me dron në rajonin e Moskës, që detyroi autoritetet të mbyllnin përkohësisht tre aeroporte të mëdha në kryeqytetin rus.
Në një raport të publikuar më 26 gusht, Instituti për Studime të Luftës me seli në SHBA, tha se kundërofensiva ukrainase ka “shënuar përparime të rëndësishme taktike” në pjesën perëndimore të rajonit të Zaporizhjës.
Forcat e Kievit “po përparojnë përmes asaj që burimet ukrainase dhe amerikane sugjerojnë se mund të jetë seria më sfiduese e pozicioneve të përgatitura mbrojtëse ruse”.
Në buletinin ditor të publikuar më 27 gusht, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase raportoi për “më shumë se 40 përleshje luftarake” në mbarë vendin gjatë 24 orëve paraprake.
“Ukraina vazhdon të kryejë operacionin ofensiv në drejtim të Melitopolit”, tha ushtria, duke iu referuar qytetit që gjendet në rajonin e Zaporizhjës, të cilin Rusia e ka pushtuar në mars të vitit 2022.
Melitopoli është një qendër vitale transit për forcat ruse dhe një lidhje kyçe në atë që quhet “urë tokësore” midis Gadishullit të pushtuar ukrainas të Krimesë dhe pjesëve të pushtuara nga Rusia në lindje të Ukrainës që janë në kufi me Rusinë.