Ukrainasi vjen si refugjat lufte në Vlorë, i bashkohet Flamurtarit
Bogdan Kalinicenko është një portier që mbërriti në Vlorë si refugjat nga Ukraina.
16-vjeçari sot aktivizohet me Flamurtarin. Para luftës, ai luante me një ekip lokal në Ukrainë.
“Kam ardhur me nënën dhe vëllain tim në Shqipëri pasi është një vend i sigurt dhe ne ndihemi të qetë këtu, ndërsa në Ukrainë kam lënë babanë dhe gjyshërit. Ardhja ime në Vlorë nuk është e rastësishme pasi kemi ardhur në këtë qytet bregdetar gjatë verës për pushime”, thotë Bogdan Kalinicenko.
Bogdani është trishtuar, por stërvitja e bën të harrojë për pak çaste luftën:
“Kur erdha për pushime kam vizituar stadiumin. Është shumë e çuditshme, pasi dikur u pata thënë djemve të ekipit ‘do të luajmë dy skuadrat një ndeshje’[ dhe fati e sjell qe unë të luaj sot me këtë skuadër. Ndihem mjaft mirë me ekipin dhe atmosferën këtu. Por nuk e di nëse në vijim do të jem pjesë e skuadrës pasi më duhet të mendohem mirë për këtë vendim”.
Për trajnerin e Flamurtarit Dritan Resuli,pranimi I lojtarit për stërvitje pranë ekipit do të thotë solidaritetit me Ukrainën dhe popullin e saj në këto ditë të vështira.
Dhjetëra ukrainas që ikin nga lufta strehohen në Vlorë. Shumë prej tyre nuk duan të abuzojnë me bujarinë dhe po kërkojnë punën.