Ukrainasit përparojnë në Rusi, 3 000 të evakuuar gjatë 24 orëve të fundit në Kursk
Më shumë se 3,000 njerëz janë evakuuar gjatë 24 orëve të fundit nga zonat në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë, të prekura nga inkursioni i vazhdueshëm i ushtrisë ukrainase.
Ministria ruse e Emergjencave ka njoftuar se më shumë se 10,000 banorë vendas po qëndrojnë në qendrat e akomodimit të përkohshëm në pjesë të tjera të vendit.
Inkursioni, për të cilin autoritetet ruse thonë se ka çuar në evakuimin e më shumë se 120,000 civilëve, erdhi si një tronditje për shumë njerëz që jetojnë në rajonin e Kurskut që kufizohet me Ukrainën, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Askush nuk e priste që ky lloj konflikti të ishte i mundur edhe në rajonin e Kurskut”, tha Yan Furtsve, anëtar i partisë lokale opozitare, Yabloko.
“Kjo është arsyeja pse ka një konfuzion dhe panik të tillë, sepse qytetarët po vijnë nga zonat e vijës së parë dhe ata janë të frikësuar”, shtoi Furtsve.
Bëhet e ditur se një shtytje e guximshme ushtarake ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë ka parë që forcat e Kievit të kapin disa fshatra, të marrin qindra të burgosur dhe të detyrojnë evakuimin e dhjetëra mijëra civilëve në atë që është bërë sulmi më i madh ndaj Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në më shumë se një javë luftime, trupat ruse janë ende duke luftuar për të dëbuar forcat e Ukrainës.
Siç raportohet, Kievi shpreson se inkursioni i befasishëm në Rusi, i cili filloi më 6 gusht, do të ndryshojë dinamikën e konfliktit më shumë se dy-vjeçar.
Por, zyrtarët ukrainas kanë përsëritur vazhdimisht se qëllimi i operacionit nuk është pushtimi i Rusisë.
“Ukraina nuk është e interesuar të pushtojë territoret ruse”, tha një prej ndihmësve të lartë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak.
“Në rajonin e Kurskut, ne mund të shohim qartë se si mjeti ushtarak po përdoret objektivisht për të bindur Rusinë që të hyjë në një proces të drejtë negocimi”, shtoi Podolyak.