Ukshin Hoti ishte jo vetëm intelektual, por edhe hero i mendimit kosovar
Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare ka deklaruar se veprimtari Ukshin Hoti ishte hero i mendimit kosovar. “Ukshin Hoti është njeri i dashur për mua. Nuk kam pasur fatin ta takoj”, ka thënë Kadare në një intervistë për RTK. Sipas tij, Ukshin Hoti ka qenë një figurë që gjithmonë ishte pas mendimeve të veta. “Ishte kënaqësi kur mora pyetjet dhe kisha mundësi të komunikoj me të. Ai ishte jo vetëm intelektual, por hero i mendimit kosovar”, ka thënë Kadare.
Ukshin Hoti ka lindur në Krushë të Madhe më 17 qershor 1943. Filozof dhe aktivist shqiptar, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe më pas i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës. Më 1994 u dënua me pesë vjet në burgun e Dubravës. Më 16 maj 1999, kur dënimi i tij mbaronte dhe duhej të lirohej, u mor peng nga rojet e burgut dhe nuk është gjetur më. Vendndodhja e tij nuk dihet. Shumë aktivistë të të drejtave të njeriut e konsiderojnë të vdekur.
(B. D.: ‘Epoka e re’)