Ukshin Hoti në luftë që një popull i ndarë të rreshtohet në rrugën e përparimit dhe bashkimit

06 qershor 2019 | 15:22

Prof. dr. Hakif Bajrami

Vështrim special për profesor Ukshin Hotin

Të shkruash dhe të gjykosh drejt për profesor Ukshin Hotin nuk mundet askush të japë ndonjë vlerësim objektiv pa u analizuar çdo gjë që ka shkruar, çdo dokument që ka mbetur në arkiva, sepse për një kohë të gjatë e ka drejtuar dikasterin e punëve të jashtme të Kosovës. Pastaj ka bërë punë arsimore-shkencore, ka bërë burg, ka drejtuar revista të mendimit politik dhe ka qenë drejtues i një partie politike.

Lidhur me këtë, profesori, politikani dhe diplomati Ukshin Hoti në shkrimet e tij të para i nxjerrë në shesh të gjitha komplotet antishqiptare nëpër simpoziume jo vetëm jugosllave, por edhe evropiane që nga viti 1976. Në këtë rreshtim prof. Ukshini ngritët fuqishëm kundër padrejtësive dhe servilizmit, çyçarisë, apatisë dhe, më së tepërmi, kundër urrejtjes. E ngjeshur kështu, filozofia politike e Ukshin Hotit nuk mbetet e plasuar në premisat e kabineteve akademike, nuk mbetet politikë e estradave dhe profkave patetike, e poltronëve dhe superpoltronëve, por është dhe premton të mbetet metaforë e ndërgjegjes dhe moralit të një populli, liria e të cilit ka korniza dhe çmim, që lufton për t’u çliruar nga prangat e burgut, për t’i ngjeshur pastaj armët, që ato pranga t’i bëjë copë e grimë. Prandaj, nuk është e rastësishme klithma e tij kushtrimore kur thotë: “Bëje ose vdis”.

Kjo do të thotë se profesor Ukshini u drejtohet shqiptarëve: “E bëni republikën e Kosovës të pavarur ose dilni në fushën e mejdanit për me vdekë për liri”. Në filozofinë sociale dhe politike të Ukshin Hotit të gjithë qytetarët duhet t’i shquaj vendosmëria ku ata kanë mundësi: të mendojnë, të flasin dhe të veprojnë të lirë.

Në filozofinë diplomatike Ukshini gjurmon, në filozofinë ekonomike akuzon, ndërsa në filozofinë e historisë shpërthen si vullkani, dhe i akuzon të gjithë okupatorët, pa dallim.

E kundërta në shkrimet e prof. Ukshinit politika e okupatorit mbetet konstante sepse ajo nuk guxon të ndryshojë nga frika se prangat i rrëshqasin nga dora, prandaj aty mësohet se qytetari i rendit të dytë nuk ka nevojë të mendojë e të flas, por duhet të veprojë ashtu si i ka ligjet dhe normat robëruesi. E pra, Ukshin Hoti është në luftë jetësore për zhveshjen e kësaj shoqërie të këtyre kastave, klaneve, koroporacioneve dhe rogozëve të tyre, dhe tërë këtë, sipas tij mund ta shporrë çdo popull nëse nuk i frikësohet çmimit të lirisë dhe sakrificës për të, sepse liria universale duhet të shndërrohet në vlerë të shtuar globale.

Lidhur me këtë, duke e lexuar shumicën e studimeve të Hotit, kuptohet se globalizmi nuk arrihet pa mençuri-arsimim, pa forcimin horizontal të gjigantëve ekonomik, por që gjithmonë duhet pasur në mendje që koncernet e globalizmit ndrydhin sërish të varfrit dhe të robëruarit, që në të njëjtën kohë, kombi duhet ta shporrë frikën dhe inferioritetin, dhe mu këtu shqiptarët duhet të sfidohen se çdo gjë që i rrezikon në Ballkan, nuk munden ma të konsiderohen se kjo Siujdhesë ishte dhe mbetet një “fuqi baruti” për paqen, sepse këtu plaga shqiptare ende kullon padrejtësi, prandaj shqiptarizmit i duhen miq për t’u çliruar nga e kaluara shekullore në robëri. Prandaj, në emër të “atësisë” shqiptarët nuk duhet ta shtrijnë ma qafen dhe të pajtohen me çdo gjë që vjen nga lartë poshtë, pozitë kjo që ia imponuan gjashtë fuqitë evropiane nëpër kongrese e konferenca “paqësore”.

Këtë rreshtim Ukshin Hoti nuk është i gatshëm ta pranojë kurrë, me asnjë çmim, sepse e kishte para syve shembullin e Adem Demaçit, i cili kurrë nuk iu përkul inferioritetit, para askujt.

Me këtë rreshtim Ukshin Hoti, nuk është mësim i urtë vetëm për popullin e tij, por nga kjo rrugë nxjerrë konkluzën se politikën dhe ekonominë sidomos në Evropë e ka mbajtur gjallë dhe shumë herë të bashkuar vetëm pasuria, sepse askush nuk do pajtim të njëanshëm në varfëri, e pasurinë që e kanë grumbulluar okupatorët nuk shporret pa fuqinë e armës. Askush, mësonte Ukshin Hoti nuk ta falë larinë dhe pavarësinë në tavolinë.

Ukshin Hoti me shkrimet e tij edhe sot mbetet politikani më pragmatik, sepse në fund të shekullit kaluar e pati shtruar qëndrimin parimor jetësor a do të hyjmë në shekullin XXI si të eksplotuar dhe të kemi nevojë për tutor që të klithim para tyre: “na ndihmoni”, për t’u bërë pastaj shërbyes të tyre.

Ç’është e vërteta, shqiptarët sot janë popull politik, por në asnjë instancë nuk janë të kursyer nga injoranca, dhe mu për këtë, kemi kaq liri sa që askush nuk po pyet: Pse kemi “tepër liri” diku-diku, edhe na ka përfshirë anarkia, korrupsioni dhe voluntarizmi se: “problemet tona lokale” kurrë nuk do na i zgjidhin burrat dhe administratorët e Gjermanisë dhe Amerikës, ndërsa ne vrapojmë që për një gjysmë dekade të avancohemi në kapitalist “modern”, të tipit atristokratik.

Në publikimet e botuara dhe të pabotuara të prof. Ukshin Hotit, mësohet se shqiptarët me kohë kërkuan një shtet modern evropian, një parlament ligjdhënës, një shkollë kombëtare evropiane, një kryeqytet (Manastirin), një shtypshkronjë dhe një informatikë të lirë dhe të pavarur nga robëria e klaneve dhe trofeve shtetërore. Madje Ukshini i drejtohet partive politike që ndajnë dhe furnizojnë dhunë padrejtësish në emër të emancipimit demokratik, e që një orë e më pare të rreshtohen në filozofinë demokratike në emetues dhe humanizim të jetës jetuar.

Shqiptarët në të gjitha shkrimet e tij Ukshin Hoti, i fton të integrohen rreth një flamuri, një gjuhe, me një filozofi politike që i gëzon miqtë, i tmerron armiqtë në të njëjtën kohë. Kjo filozofi i fton shqiptarët në aksion, por jo në mobililitet mashtruesish dhe bajraktarësh. Duke u forcuar me urti shqiptarët sipas Ukshin Hotit nuk duhet të pranojnë pozitë inferiore për kombin e vet. Së këndejmi, tragjedinë e individit, të grupit dhe të etnisë popullore, Ukshin nuk e përplasë me ngjyra të “jelekave dhe jataganave” të fiseve, por nxjerr nga populli si ndergje horizontale që e ka përfshi çdo pore të jetës së tij, që ka peshë ingenioze mbi të gjitha, që ka kualitet jetësor, që ka sinqertë dhe edukate të sojit të besës, e cila i ka përjetuar shekujt me parmin e saj etik dhe human. Ja, këtë koncept e projekton Ukshin Hoti jo vetëm për kombin e vet.

Mu për këtë arsye prof. Ukshin Hoti mbetet filozof i perspektivës dhe diplomat i grafisë politike evropiane, sidomos në kthesat e mëdha. E nëse inteligjencia dhe populli shqiptar nuk e mëson këtë filozofi, vonesën si trashëgim e ka të sigurt.

Me këtë prof. Ukshin nuk pajtohet kurrë se shqiptarizmi do të pajtohet me status quo. Jo shqiptari i Ukshin Hotit, njeriu i rëndomtë tek e fundit pa dallim përkatësie, race e religjioni, kulture dhe niveli të pasurisë, është dhe mbetet, “gjymtyrë dinamike, dynamomakinë e trurit dhe diturisë, që do të shpërndajë edhe tek të tjerët: urti e dituri, besë-kulturë, sepse mjaftë ka marrë shekuj robërie në pronësi. Pra, ka ardhur koha që shqiptaria të japi atë që mundet, së pari ta çlirojë Kosovën tërësisht nga patkonjtë e mirrobergjezisë violente, nga robëria sllave, që sot destabilizon dhe nesër nëse vazhdon do të vejë në pyetje edhe strukturën e çlirimit jo vetëm në Ballkan, e në vijim copa-copa shqiptarizmi duhet t’i bashkojë zogjtë e shqipes në një fole, nën Flamurin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.

Ky ishte dhe mbetet testamenti filozofik i prof. Ukshinit.

Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Justin Bieber dhe Hailey Baldwin gjithmonë kanë dashur një martesë…