Ukshini: Ushtria, shtyllë e domosdoshme për shtetin e Kosovës
Krijimi i ushtrisë së Kosovës mes kundërshtive të shumta është një nga hapat më të guximshëm.
Ky është një vendim që nuk është pritur mirë nga Serbia, për këtë nuk dihet se çfarë ndikimi do të ketë në zhvillim e dialogun Prishtinë-Beograd.
Për të folur më shumë në lidhje me këtë vendim historik për Kosovën, në edicionin e lajmeve në Vizion Plus, ka qenë i ftuar ambasadori në detyrë i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini.
Z. Ukshini, Kosova të premten shënoi ndoshta ngjarjen më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë, çfarë vjen pas krijimit të ushtrisë?
Pavarësia e Kosovës është deklaruar në vitin 2008 dhe një komponent që plotëson shtetin është dhe ushtria, formimi i saj ishte një nevojë e kahershme një domosdoshmëri. Një shtet është ose jo i plotë dhe ushtria krahas Ministrisë së Jashtme është shtylla e domosdoshme për kompletimin e shtegtisë së Kosovës. Unë mendoj se ngritja dhe themelet e kësaj ushtrie janë bërë mbi standarde dhe praktika të avancuara evropiane si dhe me ndihmën që ka ofruar vendet anëtare të NATO-s.
Ushtria jonë është e re, me kadet të rinj që janë formuar në të gjithë vendet me demokraci të konsoliduar, por është edhe një ushtri që ka një synim dhe një vokacion për të ecur drejt integrimit të plotë në NATO. Ne jemi këtu në rajon dhe i gëzohemi, jo vetëm ushtrisë së Kosovës që të ecë drejt NATOS, por ne i gëzohemi edhe anëtarësimit të Maqedonisë, ashtu siç i jemi gëzuar edhe anëtarësimit të Malit të Zi. Këto zhvillime tregojnë se rajoni po shkon drejt stabilitetit afatgjatë dhe unë mendoj se me Ushtrinë e Kosovës po i shtohet edhe një gur i paqes në atë godinën e madhe të paqes në Rajon. Ashtu si Pavarësia e Kosovës, e cila ka krijuar paqe në rajon, edhe krijimi i ushtrisë së Kosovës do të krijojë paqe dhe stabilitet. Formimi i Ushtrisë së Kosovës e çimenton paqen në rajon.
NATO ka shprehur keqardhjen për vendimin duke e quajtur atë të nxituar, ndërsa SHBA e ka përshëndetur, përse ky qëndrim i ndryshëm mes aleancës dhe Uashingtonit?
NATO fatmirësisht nuk ka dalë kundër, disa kanë thënë se nuk është koha, dhe unë në një situatë të tillë natyrshëm mund të lindë pyetja, po kur na qenka? Natyrisht nuk mund t’i thoni Kosovës se nuk është koha, pasi ju e dini se Kosova ka pritur me durim të jashtëzakonshëm, jemi 10 vjet gati 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosovës dhe 20 vjet nga çlirimi. Kosova ka treguar shumë durim dhe ju nuk mund të shkolloni kadet brez pas brezi në Amerikë, në Gjermani dhe gjithandej në botë dhe t’i thoni se t’i i ke 30 vjet pri, çfarë të ngutet.
Por shteti ka një qëllim, koha ka një limit dhe unë mendoj se Kosova ka prit mjaft, ne kemi prit në këtë rrugëtim shumë dekada, kemi pritur 100 vjet dhe liria jonë është edhe për të krijuar ushtrinë. Godina me shtetësinë e Kosovës është më komplete edhe me ushtrinë. Ata që hezitojnë ta përkrahin ushtrinë tonë bëjnë një padrejtësi, sepse nëse të rinjtë shqiptarët nuk mund të rreshtohen në ushtrinë e tyre, atëherë ku duhet të rreshtohen ata.
Krijimi i ushtrisë së Kosovës ka alarmuar Serbinë, si do të ndikojë ky vendim në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd. A rrezikon që të bëhen hapa pas sa i takon dialogut?
Më vjen keq nga sjellja e Beogradit, sepse tregon një mendësi të së kaluarës. Unë jam pjesë e atij brezi që ka përjetuar shumë gjëra nga regjimi represiv serb. Beogradi është i shqetësuar tani dhe ishte i shqetësuar edhe kur ne jemi çliruar dhe kjo është për të ardhur keq, sepse tregon një mendësi, një kontaminim dhe një vazhdimësi të politikave të vjetra. Ju nuk duhet të harroni, sigurisht e mbani mend, nëse dikush duhet që të ndëshkohet në rajon për të mos pasur ushtri, unë mendoj se është shteti fqinj, Beogradi. Ju e dini se Beogradi ka bërë krime të papara që nga Lufta e Dytë Botërore, jo vetëm në Kosovë, por dhe në Bosnjë dhe në Kroaci, dmth, ka bërë krime dhe dëbimeve masive edhe ndaj popujve dhe ndaj atyre njerëzve që kanë afërsi etnike, fetare dhe kulturore, meqë ushtria serbe ka qenë ushtri që ka luftuar për idenë e Serbisë së Madhe. Dhe pikërisht kjo ka qenë arsyeja përse NATO-ja e ka goditur këtë ushtri represive dhe përgjegjëse për krime kundër njerëzimit. Për këtë shumë drejtues dhe gjeneralë të ushtrisë serbe janë gjykuar në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë, por disa prej tyre mjerisht janë sot akoma në krye të ushtrinë serbe. Unë mendoj se gishti duhet drejtohet nga Beogradi si cenues dhe prishësit e paqes,
Presidenti i Kosovës Thaçi nuk ka hequr dorë nga teza e korrigjimit të kufijve, është kjo zgjidhja e vetme për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë?
Unë nuk e di që Presidenti ka folur për korrigjim, por di se ka folur për demaskimin e kufirit midis shtetit të Kosovës dhe shtetit serb. Unë mendoj se presidenti Thaçi ka një eksperiencë të jashtëzakonshme negocuese që nga Konferenca e Rambujesë këtu e 20 vjet më parë, dhe besoj se në formimin e ekipit negociator Kosova do të ketë një përfaqësim dhe pozicion të qartë në dialog me Beogradin.
Nervozizmi në Beograd mendoj se ka lidhje me faktin se ato kanë menduar që çështjen e Ushtrisë ta bëjnë pjesë të agjendës dhe negociatave në Bruksel. Prandaj formimi i ushtrisë së Kosovës tregon se tashmë Kosova është e pandashme, është e njohur ndërkombëtarisht ndërsa sa i përket demarkimit është një çështje që ju përket ekspertëve.
Me ngritjen e çështjes së Luginës së Preshevës Presidenti i Kosovës e ka bërë të qartë se nëse ekziston një komunitet, një popullatë e shtypur më shumë sot për sot në Evropë, janë shqiptar e Luginës së Preshevës, që akoma trajtohen si qytetarët të rendit të dytë dhe të tretë, pa asnjë të drejtë. Mendoni që atyre njerëzve ju mohon gjërat më elementare kombëtare, që janë të papërfytyrueshme në rajon dhe në Evropë.
Edhe një herë po e përsëris se formimi i Ushtrisë së Kosovës është një ditë e madhe dhe fakti se vendet e rajonit, si Mali i Zi dhe Kroacia janë përkrahëse, po ashtu dhe Shqipëria, e cila dihet tashmë se ka qenë dhe mbështetëse e konsolidimit të shtetësisë sonë. Do të shihet shumë shpejt se me formimin e Ushtrisë së Kosovës të gjithë kemi fituar një komponent, një forcë ushtarake që do të jetë krah NATO-s do të jetë institucion që do të prodhojë dhe do të eksportojë paqe në rajon dhe në botë.