Ukshini viziton aktoren Xhepa, i uron ditëlindjen dhe shërim të shpejtë
I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, ka vizituar në spital aktoren e mirënjohur, Margarita Xhepa, e cila dje mbushi plot 85-vjeç.
Teksa i ka uruar datëlindjen dhe shërim sa më të shpejtë, Ukshini shprehu dëshirën për ta parë sërish në skenë e njërës nga ikonat e shquara të teatrit dhe e të kinematografisë shqiptare, duke shtuar se e padyshim ajo mbetet një frymëzim për të gjitha brezat dhe modeli i aktoreve tona në hapësirën shqiptare.
Mesazhi i plotë i Sylë Ukshinit në rrjetin social ‘Facebook’:
Sot, kam vizituar në spital ikonën e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, e cila po ashtu kishte ditëlindjen e saj të 85-të. Me këtë rast, i kam uruar shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë skenën teatrore për të qenë protagoniste e roleve të filmave të ardhshëm, duke shtuar se, edhe publiku shqiptar në Kosovë, ashtu si në Shqipëri, ka një admirim të veçantë për talentin e saj dhe kontributin dhënë kinematografisë shqiptare përmes roleve të realizuara me suksese gjatë shumë dekadave. Për brezin tim në Kosovë mbetet njëra nga aktoret më të dashura me lojën e madhe si protagoniste e mbi 150 roleve. Po ashtu, breza të shumtë të vajzave dhe aktorëve kosovarë tek ajo kanë parë modelin e aktores.
Aktorja e madhe shqiptare, Nderi i Kombit Margarita Xhepa, ditë më parë kreu një operacion në një spital privat të Tiranës, i cili përfundoi me sukses dhe ajo tashmë ka filluar të mendoj për projekte të reja artistike. Me shumë pasion ajo foli për respektin dhe dashurinë e madhe që ka për publikun e Kosovës dhe dëshirën që sa më parë të jetë në mesin e tyre. Gjatë këtij takim aktorja Xhepa na foli në detaje për xhirimet e fundit të filmit artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve”, bazuar në romanin e shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli. Margarita Xhepa është protagoniste në këtë film dhe gjatë muajit maj do të jetë premiera e tij dhe ajo nuk harroi të na bënte ftesë për të qenë të pranishëm në premierën e filmit, ku luan bashkë me aktorin tjetër të madh, Robert Ndrenikës. Margarita Xhepa, është jo vetëm një njeri i veçantë, por edhe një gjerdan i artë i teatrit dhe i kinematografisë shqiptare, që sa herë flet për teatrin dhe filmin rrezaton shkëlqim dhe gjallëri. Ajo mbetet një ikonë e teatrit dhe e kinematografisë, që padyshim është shembull për të gjitha aktoret e reja. Margarita është në margaritar dhe një mbretëreshë e skenën teatrore dhe filmike.