UKZ-ja merr kryesimin e radhës së Konferencës së Rektorëve

18 qershor 2020 | 15:59

Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar takimin e radhës, ku nga dita e enjte kryesimin e saj do ta ketë rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, prof. asoc. dr. Bajram Kosumi.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë rektorët e universiteteve publike në Republikën e Kosovës, derisa për shkak të situatës së krijuar ditëve të fundit nga Covid-19, është reduktuar numri i mysafirëve të ftuar.

Mbledhjen e ka hapur prof. dr. Fadil Milaku rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, njëherësh kryesuese i konferencës.

Më pas rektorët unanimisht kanë zgjedhur kryesuesin e Konferencës së Rektorëve,  prof. asoc. dr. Bajram Kosumi rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, kurse prof. dr. Alush Musaj rektor i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë është zgjedhur zëvendëskryesues. Pas votimit është bërë edhe bërë pranim-dorëzimi i kryesimit të konferencës.

Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë i cili dorëzoi kryesimin tek rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ishte privilegj për të punuar së bashku me të gjithë në ngritje të cilësisë dhe vlerave të universiteteve publike të Kosovës gjatë mandatit sa ishte kryesues i konferencës.

Kurse rektori Bajram Kosumi ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje dhe njëherësh ka përgëzuar rektorin Millaku për kryesimin e deritashëm të konferencës.

Rektori Kosumi ka thënë se që nga viti 2016 kur u themelua Konferenca e Rektorëve e deri më tani, është bërë mjaft punë e mirë duke mbrojtur arsimin e lartë dhe cilësinë e arsimit nga politikat shkurtëpamës. Ai ka falënderuar Arsim Bajramin, në atë kohë ministër e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, për ndihmën në themelimin e Konferencës së Rektorëve.

Rektori Kosumi pos tjerash ka thënë se do të vazhdojë të punojë në orientimin e politikave programore në institucionet publike të arsimit të lartë, në ngritjen e cilësisë në arsim për studentët, në mobilitet dhe hulumtime, në promovime shkencore dhe shkëmbim të përvojave.

Rektori Kosumi ka ftuar të gjithë që të mbështesin universitetet dhe të besojnë në arsimin cilësor në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim përshëndetës…