“Ule zanin e dëgjom”, përplasje e ashpër mes Mimoza Kusarit e Pal Lekajt në Komisionin për Ekonomi
Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj dhe Mimoza Kusari-Lila janë përplasur sot ashpër në Komisionin për Ekonomi. Gjithë tensioni ka nisur kur deputeti Lekaj ka thënë se nën qeverisjen Kurti ka lulëzuar importi nga Serbia.
“Nëse ka lulëzuar ndonjëherë tregu apo importi me Serbinë është me këtë Qeveri”, dëgjohet duke thënë Lekaj para deputetëve në Komision.
Pas kësaj deklarate të Lekajt, ka reaguar ashpër shefja e GP të VV-së duke thënë se deputeti Lekaj është duke i keqinterpretuar statistikat, ndërsa i kërkon që të ulë dhe zërin e të kërkoj falje publikisht për ato që po thotë.
“Statistikat e ASK-së, deputeti Pal Lekaj jo vetëm që është duke i keqinterpretu, por është duke abuzu me fjalën e lirë, tu dezinformu edhe mbi të gjitha nëse din me lexu shqip dhe kuptu, Agjencioni i Statistikave i ka informacionet në gusht ku qartësohet se importet dhe eksportetet ne vendet e BE-së janë si vijon: Maqedonia e Veriut 5.9% Shqipëria 5.4% dhe Serbia 3.1%”, thotë Kusari-Lila, derisa ndërhyn sërish deputeti i AAK-së duke thënë “lëri këto shifra”.
“Pal Lekaj ule zërin dhe dëgjomë. Pse po folë për Serbinë, pse po e sjell në tavolinë, pse po dezinformon, 1.3% ka ra”, i përgjigjet Kusari-Lila.
Aty ndërhyn sërish Lekaj duke i thënë se “ju e keni lulëzu tregun me Serbinë, përnjëherë ka lulëzu”.
“Duhet me të ardhë turp e me kërku falje publikisht para njerëzve që dezinformon. Abuzoni me fjalën e lirë”, i kundërpërgjigjet shefja e grupit parlamentar të VV-së.
Pas përplasjeve e toneve të larta mes deputetëve lidhur me importin nga Serbia, opozita ka lëshuar mbledhjen e Komisonit.