Ulet drastikisht numri i vrasjeve në Shqipëri, Balla: Shifra më e ulët e regjistruar në 30 vitet e fundit
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, Taulant Balla, ka dhënë detaje lidhur me statistikat për numrin e vrasjeve që ndodhën në vitin 2023 në Shqipëri.
Gjatë një konference për medie, Balla ka njoftuar se gjatë vitit që lamë pas janë regjistruar 35 vrasje.
Sipas tij, kjo është shifra më e ulët që Shqipëria ka pasur në 30 vjet.
Balla ka thënë se 1/3 e rasteve është krim brenda familjes, prandaj i ka kërkuar autoriteteve dorë të hekurt kundër dhunës me bazë gjinore.
“Rënie drastike të vrasjeve, 35 vrasje deri më 31 dhjetor, krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe 124 në vitin 2012. 1/3 janë krim në familje, si ngjarja e sotme në Tiranë. 35 është një numër që Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë në 30 vite. I kam kërkuar drejtorisë vendore të Policisë, një dorë të hekurt kundër dhunës me bazë gjinore dhe një mbështetje për të gjitha viktimat e dhunës. Me zemër të thyer e them se në 2023 janë 4 mijë e 600 raste të dhunës në familje. 2 mijë kërkesë padi për urdhër mbrojtje. Situatë e papranueshme”, ka thënë Balla.