“Uliksi”, kryevepër e prozës moderne e “përroit të ndërdijes”

23 shtator 2021 | 12:40

Dr. Lirak Karjagdiu

 (Mbi romanin e Xhejms Xhojsit, “Uliksi”, “Zenit Editions”)

 Në shekullin XX si letërsia në përgjithësi, ashtu edhe romani anglez pësojnë ndryshime jo vetëm në formën, përmbajtjen, atmosferën,  stilin, gjuhën dhe teknikën e rrëfimit, por edhe në vëllim. Kështu, romani modern anglez ishte më pak voluminoz krahasuar me romanin e periudhës së viktorianizmit. Ky reduktim në volum të romanit vjen pjesërisht si pasojë e stilit dhe mënyrës moderne të jetës, por edhe e ndikimit që ka ushtruar proza franceze e asaj kohe me përfaqësuesit si Flobertin, Mopasanin, e të tjerë. Ndonëse, Tekeri pati bërë disa përçapje në drejtim të ndryshimit të teknikave tradicionale  të rrëfimit, megjithatë ishte Henri Xhejmsi ai që i nxori në pah shqetësimet, preokupimet dhe kërkimet  e shkrimtarëve modern për teknika të reja të rrëfimit. Madje, ai ishte i pari që eksperimentoi me këndvështrimin e rrëfimit në roman dhe në këtë mënyrë u bë edhe nismëtar dhe cytës i kërkimeve dhe eksperimenteve të teknikave dhe metodave bashkëkohore të rrëfimit. Së këndejmi, eksperimenti më i spikatur i romanit modern të  shekullit XX-të ishte përdorimi i teknikës së re të rrëfimit romanor i asaj të rrjedhës së ndërdijes apo siç e quan Kadare i ynë i madh i përroit të ndërdijes. Në letërsinë botërore, në përgjithësi, si përfaqësues më të spikatur dhe më prominetë të romanit modern konsiderohen Zhiradeni, Prusti, Sterni, Forsteri, Fokneri, Vullfi, Xhojsi etj. Ndërkaq, përfaqësuesi më i shquar i romanit të përroit të ndërdijes në letërsinë moderne angleze të shekullit XX-të është Xhejms Xhojsi (1882-1941). Aty nga vitet e 20-ta të shekullit XX-të Xhojsi shkruan “Uliksin”, një ndër romanet e para të këtij zhanri, i cili për shkak se ishte shkruar me një stil shumë të lartë dhe të sofistikuar ishte tejet i ndërlikuar për t’u zbërthyer dhe për t’u kuptuar, ndaj dhe në fillim ky roman shkakton shumë huti si tek lexuesit ashtu edhe te kritikët, që u impenjuan për të interpretuar dhe zbërthyer domethënien dhe vlerat e këtij romani.

Xhojsi është pa dyshim një ndër mjeshtrit më të talentuar të përdorimit dhe eksperimentimit me gjuhën në veprën artistike letrare. Ai u lind në Rathgar me 2 shkurt 1882. Pas mbarimit të shkollimit në një shkollë jezuite në Dublin dhe pasi diplomoi në Universitetin Royal (Mbretëror), në vitin 1902, për një kohë Xhojsi jetoi në vende të ndryshme të Evropës si në Francë Zvicër, Austri dhe në Angli. Pastaj, një kohë punoi si mësimdhënës në Irlandë dhe Trieshtë. Njëkohësisht, Xhojsi gjatë kësaj kohe kishte  filluar të merrej edhe me shkrimin e letërsisë. Është e udhës të vihet në dukje se opusi i tij letrar është mjaft i gjerë. Kështu, ai fillimisht shkroi ca poezi, në të cilat bie në sy se ai nuk shkruante për shijen e publikut të gjerë. Së këtejmi,  përmbledhjen e parë të tij të poezive “Katër odat” (Four Chambers), mezi arrin ta botojë në vitin 1907, meqë fillimisht refuzuan t’ia botonin katër shtëpi botuese të Londrës. Të njëjtin fat e ndoqi edhe përmbledhjen e tregimeve “Dablinasit” (Dubliners), e cila për shkak se ishte shkruar me një stil ekscentrik dhe mjaft të çuditshëm, nga njëra anë si dhe për shkak se jeta në Irlandë në këtë vepër përshkruhej dhe përshkohej nga një frymë antiromantike, ajo mezi pa dritën pas shumë peripetishë dhe sfidash, në vitin 1914. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai qëndron në Cyrih të Zvicrës, dhe shkruan romanin e parë të tij  “Portreti i artistit në rini”  (A Portrait of the Artist as a Young Man), të cilin e botoi me 1916. Do theksuar se ky roman menjëherë tërhoqi vëmendjen e qarqeve letrare të asaj kohe, të cilët e cilësuan  si vepër e cila vuri themelet dhe hapi shtegun për lindjen dhe zhvillimin e një teknike dhe zhanri të ri të prozës bashkëkohore. Ndërkaq, “Uliksin” (Ulysses), kryeveprën e tij, që njëherësh është edhe kryevepër e prozës moderne angleze dhe botërore të shekullit XX-të, të cilin e kishte shkruar gjatë viteve 1914-1921, e boton në vitin 1922.  Mirëpo, në ShBA ky roman për shkak të skenave të pahijshme që përmbante u ndalua deri në vitin 1933. Më 1939 në Paris, Xhojsi boton edhe romanin tjetër të tij “Zgjimi i Fineganit”  (Finnegans Wake). Kjo vepër e Xhojsit mes tjerash njihet edhe për faktin se duke eksperimentuar me gjuhën ai në këtë vepër përdori edhe gjuhën shqipe. Kështu, veç këtyre, ai shkroi edhe tri vëllime me poezi si: “Muzika e odave” (Chamber Music, 1907), “Poema kushtuar Peniaçit” (Poems Penyeach, 1927) dhe “Përmbledhje poezish” (Collected Poems, 1937) si dhe ca drama në stilin e Henrik Ibsenit, dramaturgut të famshëm norvegjez si fjala vjen “Mërgimi” (Exiles, 1918), pastaj “Stefani hero” (Stephen Hero, 1944), etj. Xhojsi qëndroi për një kohë të shkurtër në Francë, por për shkak të rrezikut që i kërcënohej nga fashistët ai ikë në Cyrih të Zvicrës, ku edhe vdes me 13 janar 1941.

S’ka pikë dyshimi se “Uliksi” është një roman përfaqësues i prozës moderne të përroit të ndërdijes. Xhojsi e ka shkruar këtë vepër, pikësëpari duke përdorur monologun e brendshëm, duke nxjerrë në shesh me këtë rast edhe opinionet e paartikuluara dhe të fshehta të personazheve si dhe të gjitha ato mendime që i mbajnë të ndryra në vetvete për shkak të paraqitjes dhe mirësjelljes apo kurtuazisë që duhet të tregojnë personazhet jo vetëm ndaj shoqi-shoit, por edhe në shoqëri, në përgjithësi; pos kësaj, përmes monologut të brendshëm ai përshkruan, shpalos dhe zbërthen mendimet, mbresat, kujtimet dhe ndjenjat e nduarduarshme të personazheve; pastaj, ai e përdorë monologun e brendshëm për të sajuar dhe për t’i dhënë trajtë dhe formë personazhit, në saje të shtjellimi të kujtimeve të personazhit, të ecurisë, të kontakteve, të lëvizjes së syrit në rrugë apo objekte, përmes opinioneve të tjerëve mbi të, etj. Ç’është e vërteta, ai  përdorimin e kësaj strategjie të narracionit e arsyetonte  me faktin se njeriu nuk mendon vetëm me tru, por në mendimet dhe idetë e tij ushtrojnë ndikim mjaft të madh edhe gjendja fizike. Me fjalë të tjera njeriu, ndryshe mendon, funksionon dhe vepron në mëngjes, ndryshe në drekë kur është i uritur dhe ndryshe natën kur është i rraskapitur nga puna dhe bredhjet gjatë ditës.

Në këtë roman rrëfehen ngjarjet që ndodhin brenda ditës së 16 qershorit të vitit 1904. Ngjarja ka të bëjë me historinë e një dite të një familje dablinase, Leopolld Bllumit dhe gruas së tij Mollit si dhe të Stefan Dedalusit. Ky i fundit është njëri nga tre personazhet kryesor të këtij romani. Ai është poet, filolog dhe mësimdhënës i talentuar, por ende nuk kishte arritur të bënte karrierë. Pas vdekjes tragjike të së ëmës Dedalusi ishte larguar nga shtëpia e prindërve për të kërkuar  një njeri që do t’i bëhej si prind. Stefanin e brente ndërgjegjja për premtimin e papërmbushur ndaj nënës së tij. Ngase ai kishte refuzuar që të lutej në kishë për shpirtin e së ëmës së tij, për shkak se ishte kundër jetës shumë të disiplinuar, që predikonte kisha. Nga ana tjetër kemi Leopolld Bllumin një agjent tregtar, të cilit i kishte vdekur biri i vetëm, ndërsa vajza e kishte lënë në vetmi për të shkuar në një qytet tjetër për të bërë karrierë. Meqë djali i kishte vdekur menjëherë pas lindjes, ai ishte i interesuar për të gjetur një djalë për çmallim. Ndërkaq, gruaja e zotit Bllum Molli, ishte një grua e pamoralshme, e cila e tradhtonte të shoqin me një koleg të sajin. Bllumi dhe Stefani takohen gjithsej dy herë gjatë romanit. Herën e parë ata takohen në redaksinë e një gazete dhe nuk flasin me njëri-tjetrin. Ndërsa, radhën tjetër ata takohen në bibliotekën publike, por nuk bisedojnë me shoqi-shoin, më ç’rast Stefani ishte bërë xurxull dhe mbante fjalime, duke qitur në shesh pikëpamjet e tij mbi veprën e Shekspirit. Më pas, Bllumi i vihet pas Stefanit dhe një shoku të tij, një studenti të medicinës, të cilët ishin nisur në një shtëpi publike, në lagjen e skamnorëve. Zoti Bllum e kishte shpëtuar Stefanin me shokët kur këta të fundit kishin pasur një zënkë me disa ushtarë të dehur anglezë. Në fund, zoti Bllum, duke u kthyer në shtëpi së toku me Stefanin, përçapet që ta kandisë Stefanin që t’i lërë shokët e tij aventurier dhe të vijë të jetojë me familjen e tij në shtëpinë e tij. Mirëpo, meqë Stefani nuk ishte i gatshëm për një gjë të tillë, ai ikën nxitimthi, ndërsa zoti Bllum hyn në shtëpi për ta zënë më pas gjumi pranë gruas së tij aventuriere dhe të pabesë, e cila ishte shtrirë në krevat dhe po kujtonte me kënaqësi çapkënllëqet, dashuriçkat dhe aventurat e rinisë së hershme të saj, pastaj vardisjen e Bllumit, vitet që i kishte kaluar me të dhe martesën e tyre.

Uliksi fillimisht përbëhej nga tetëmbëdhjetë episode, dhe jo kaptina, të cilat Xhojsi i kishte shkruar në krye të episodeve dhe të cilat kishin referencë homerike. Titujt e episodeve janë: Telemaku, Nestori, Proteu, Kalipsoja, Lotofagët, Hadeja, Eoli, Lestrigonët, Shilla dhe Karibda, Gurët vërtitës, Sirenat, Ciklopi, Nausika, Lopët e diellit, Cireja, Eumneu, Itaka, Penelopa. Megjithatë, në momentin e fundit ai papritmas vendos që t’i hiqte titujt e episodeve, për ta paraqitur librin asisoj që çdo episod t’i korrespondojë një ngjyre të caktuar, një organi të caktuar të trupit dhe një simboli të caktuar. Do theksuar se çdo episod i Uliksit i korrespondon dhe i ngjason një episodi të “Odisesë” së Homerit, ndonëse këto episode nuk kanë të njëjtën renditje. Madje, ai zgjodhi enkas titullin Uliksi, duke përdorur si paralel heroin Odise të Homerit, meqë figura e Odisesë ishte më tipikja për të përfaqësuar degdisjet, bredhjet dhe aventurat e njeriut dhe të natyrës njerëzore, në përgjithësi. Edhe tri personazhet kryesore: Stefani, Bllumi dhe Molli i ngjasojnë Telemakusit, Odisesë dhe Penelopës, tre personazheve kryesore të “Odisesë” së Homerit

Po kështu, është me interes të sqarohet se Xhojsi ka eksperimentuar me një laryshi stilesh, duke përdorur stile jo vetëm të prozës së vjetër, por edhe stil të dokumentarit, pastaj zhargone ligjore, legjendare, epike, etj. Kësisoj, Xhojsi është përçapur që të përdorë stile funksionale që i ngjasojnë dhe që përkojnë sa më tepër me përvojën dhe situatat e mirëfillta bashkëkohore. Fjala vjen, në episodin e 15-të me titull Cireja, ngjarja zhvillohet në një bordel, në periferi të Dublinit ku ndodhen edhe zoti Bllum dhe Stefani, duke bërë përpjekje për ta përshkruar sa më bindshëm përleshjet e të dehurve në këtë episod ai përdorë një dialog mjaft dramatik. Po kështu, në episodin e tetëmbëdhjetë, Penelopa, Xhojsi përshkruan rrjedhën e ndërdijes së Molli Bllumit, e cila ishte kredhur në përsiatje për të kaluarën dhe për aventurat e saj, përmes një monologu të gjatë pa shenja pikësimi. Në të vërtetë, Xhojsi ka përdoruar afro 32 stile të ndryshme të prozës në gjuhën angleze, duke filluar që nga elementet latine, versioni i Biblës së Mbretit Xhejms, shkrimtarëve dhe prozatorëve më të spikatur të viktorianizmit anglez si Dikensi, Thekeri, Njumeni, duke përdoruar edhe thekse të ndryshme të anglishtes me zhargon, të anglishtes së zezakëve, etj. Kjo është një prej arsyeve që “Uliksin” e bën si një ndër veprat më të ndërlikuara dhe më komplekse të shekullit XX-të. Madje, kritikë të ndryshëm janë të mendimit se për ta kuptuar këtë vepër si duhet ajo duhet të lexohet me kujdes të veçantë, duke konsultuar paraprakisht shumë kritika dhe vlerësime për veprën para se të rropatemi ta lexojmë dhe ta kuptojmë atë mirëfilli.

Lidhur me këtë edhe vetë përkthyesi i “Uliksit” në gjuhën shqipe Idlir Azizi, në parathënien e tij mjaft analitike dhe gjithëpërfshirëse që i paraprinë përkthimit, ve në dukje se përkthimi i kësaj vepre tejet të ndërlikuar në gjuhën shqipe nuk kishte qenë i lehtë. Atij i ishin dashur mbi pesë vjet pune dhe lexime, krahasime dhe konsultime të shumta. Madje, ai bën të ditur se përkthimin e ka botuar nën konsulencën e disa shkrimtarëve, studiuesve dhe përkthyesve të shquar shqiptarë dhe të huaj si Ismali Kadare, prof. dr. Adriatik Kallulli, prof. dr. Shezai Rrokaj, Mira Meksi dhe Danis Rose, Xhuliana Zeuli nga Shoqata e Përkthyesve Letrarë të Irlandës, Norin Rajs, etj. Për më tepër, për shkak të referencave të shumta që përdorë Xhojsi, autorit të përkthimit, për ta bërë përkthimin sa më të saktë, sa më të kapshëm dhe më të qartë, i është dashur të shfletojë shumë vepra të rëndësishme të letërsisë botërore si dhe përkthimet e Uliksit në gjuhën italiane dhe franceze.

Në fund, përkthyesi i veprës Idlir Azizi, një nga përkthyesit e mirënjohur dhe të talentuar letrarë dhe do të thosha mjaft të guximshëm, ka bërë përpjekje ngulmuese dhe të pareshtur përballë sfidës së procesit të përkthimit dhe si duket ia ka dalë mbanë që të përshtatë jo vetëm strukturën e kësaj vepre, por edhe ta rikrijojë këtë roman jashtëzakonisht të koklavitur të zhanrit të përroit të ndërdijes me mjeshtëri dhe frymëzim,  në një shqipe të pasur përplot me fjalë, shprehje, fraza dhe nuanca të rralla të stileve të ndryshme që paraqiten në roman.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Daut…