Ulqin, mbahet koncerti “Ndaloni luftën”

25 prill 2022 | 14:04

Më 23 prill në sallën e madhe të qendrës për kulturë në Ulqin është mbajtur një koncert i veçantë. Ishte ky koncerti  premierë i Orkestrit frymorë “Prizreni”,  i cili publikun e pranishëm e kënaqi me një program artistik muzikor të veçantë me titullin “Ndaloni luftën”.

Këtë koncert e organizuan OJQ “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes (ANP) nga Kosova, Qendra për Kulturë e Ulqinit dhe “Portali Ul-info”.  Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani dhe anranzhimin e Tomor Berishës, Kreshnik Aliçkaj, Avni Krasniqit e Edon Ramadanit u dha një program i veçantë me vepra të zgjedhura të autorëve të njohur botëror, vendas por edhe nga rajoni.

Së pari fjalën e rastit e mbajti Nexhat Ismaili,  i cili duke falënderuar donatorët që e kanë mbështetë mbajtjen e këtij koncerti premierë në Ulqin njëkohësisht edhe bëri prezantimin e OJQ “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes (ANP”).

Pastaj të pranishmit i përshëndeti edhe nikoqiri Musa Hoxha, drejtor i qendrës për kulturë në Ulqin. Mesazhi i  këtij koncerti ishte ndalja e të gjitha luftërave kudo që janë në botë dhe dëshira që të dërgohen mesazhe dhe lutje për paqe.

Në mesin e të pranishmëve në këtë koncert ishte edhe ushtruesja e detyrës së ambasadores së Ukrainës në Podgoricë, Natalia Fijalka si dhe funksionarë tjerë të lartë të Komunës së Ulqinit.

Kjo mbrëmje magjike u hape me malsoren e Lorenc Antonit dhe vazhdoi pastaj me vepra të autorëve tjerë botëror si “Schindlers list” të John Williams, “The second wals”, “Libertango”.  Mbrëmja vazhoi me orkestrime të autorëve vendas dhe të rajonit duke mbrritë kulminacion e vet me “Soul Bossa Nova” të Quincy Jone . Të pranishmit patën nderin të shijojnë edhe melodi nga interpretimi i flautes nga musafirja speciale nga Gjermani, Mechthild Palberg e cila siç tregoi ishte për pushim në Ulqin. Mbrëmja kaloi në një atmosferë magjike nën tinguj përrallor të ekzekutuar nga Orkestra frymore Prizreni.

“Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes (ANP)” është organizatë vendore multietnike joqeveritare dhe jofitimprurëse me bazë në Kosovë, e themeluar me vizionin për të arritur paqen e përhershme dhe të qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan. ANP është themeluar në vitin 2002 me qëllim të tejkalimit të së kaluarës së luftës, për ti rindërtuar lidhjet shoqërore dhe për të punuar për të ardhmen demokratike të Kosovës.

ANP-ja  promovon kulturën e padhunshmërisë, qytetarisë aktive për ndërtimin e paqes dhe inicimin e dialogut ndëretnik.

Orkestra Frymore Prizreni është orkestra e parë frymore që është krijuar në qytetin e Prizrenit dhe përbëhet nga muzikantë profesionistë nga e tërë Kosova. Vullneti dhe dëshira për të krijuar një orkestër me anë të së cilës i ofrojnë publikut një cilësi më të lartë artistike dhe më të veçantë nga të tjerat, janë qëllimet kyçe pse janë bërë bashkë.

Është themeluar në vitin 2020 në Prizren, dhe ka për qëllim të fuqizojë marrëdhëniet me komunitetet e ndryshme përmes koncerteve dhe projekteve kulturore. Repertuari i orkestrës përmban krijime të kompozitorëve botërorë dhe vendas të stileve të ndryshme muzikore.

Këtë koncert, përveç të pranishmëve në sallën koncertale të Ulqinit, patën mundësi ta përcjellin edhe të tjerët “Live” përmes faqeve të “FB” dhe kanalit në “YouTube” të portalit “Ul-info”. Gjithashtu këtë koncert e përcolli edhe shërbimi publik i Kosovës, RTK. / Gazmend Çitaku/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti i Mercedes-it, Lewis Hamilton, ka thënë që nuk do…