Ulqini prezanton ofertën turistike për pushuesit nga Kosova
Përfaqësues të Komunës së Ulqinit kanë prezantuar të martën para kompanive turistike të Kosovës në Prishtinë ofertën turistike të këtij qyteti bregdetar për pushuesit kosovarë.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, ka thënë se me qëllim që qyteti t’i kthehet traditës së vjetër janë duke bërë disa investime infrastrukturore që do ta shpejtojnë ardhjen e pushuesve kosovarë në Ulqin.
Ai ka deklaruar se qëllimi është që të rritet interesimi për sezonin turistik edhe në aspektin ekonomik, turistik dhe kulturor pasi, siç u shpreh Nrekiq, interesimi për investime nga shqiptarët është rritur dukshëm. Duke premtuar furnizim me ujë dhe energji elektrike 24 orë, i pari i Ulqinit ka theksuar se janë duke punuar për ofrim më të madh për parkingje.
Ai u shpreh se janë duke punuar në pjesët e lashta të Ulqinit në mënyrë që të investohet edhe më shumë në hapësira atraktive për vizitorët.
“Familjarisht njihemi me Kosovën dhe komuna jonë është zhvilluar më shumë sesa në periudhën e kaluar. Duhet ta kthejmë bukurinë e Ulqinit që e kishte në vitet ’70. Kemi marrë disa hapa për infrastrukturë me 5 milionë euro, edhe një tjetër për 20 milionë euro. Ne do të punojmë që kjo komunë të marrë investime nga Kosova ku ka shumë të interesuar për të investuar në hoteleri. Qëllimi ynë është që Ulqini të jetë një ndër komunat më të zhvilluara të Malit të Zi. Ulqini është qytet 2500-vjeçar dhe kemi marrë masa që Ulqini të ketë ujë, rrymë elektrike dhe pastërti, ndërsa një risi është se do të ketë edhe parking”, ka thënë ai.
Kurse zëvendësministri i Turizmit në Mal të Zi, Qazim Hoxhiq, u shpreh se për 20 për qind është rritur numri i vizitorëve në Mal të Zi krahasuar me vitin 2017. Ai ka thënë se për këtë sezon janë përgatitur 348 plazhe për të pushuar në Ulqin dhe çmimet do të jenë të njëjta si në vitin e kaluar. Hoxhiq ka thënë se numri i turistëve ka qenë 2 milionë, ndërsa të ardhurat ishin 10 miliardë euro.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Fatmir Gjeka, ka thënë se çdo vit vijnë në Kosovë për ta prezantuar ofertën e tyre. “Secilën herë vijmë me oferta të reja. Kemi festivale të ndryshme, kurse çmimet janë në nivel më të ulët në rajon”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, ka thënë se marrëdhëniet e shqiptarëve me malazezët janë shumë të mira.
“Dua të përmend disa elemente që janë ngulitur. Ulqini do të jetë shtëpi verore për shqiptarët e Kosovës dhe Prishtina do të jetë shtëpia e studentëve tanë ku kanë privilegje. Kosova ka marrëdhënie të mira me ne edhe në vitin ’99 i kemi pasur 100 mijë kosovarë atje dhe besoj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në fushën ekonomike”, ka thënë Dinosha.