UN Women vazhdon ta përkrahë AGK-në
Gratë vazhdojnë të jenë të përfaqësuara në një numër shumë të vogël në strukturat vendimmarrëse, si në nivelin operacional, atë të menaxhmentit por edhe në nivele më të larta strategjike si shefe ekzekutive. Fuqizimi i pozitës së gruas në medie si dhe përmirësimi i pozitës ekonomike të tyre ishin temat kryesore të cilat u diskutuan gjatë takimit në mes të kryetares së Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina dhe drejtoreshës së zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi.
Drejtoresha Tuzi-Nushi ka premtuar përkrahje të mëtejme të UN Women për AGK-në, në veçanti kur në pyetje është̈ përmirësimi dhe avancimi i grave në pozita vendimmarrëse në organizatat mediale si dhe mbrojtja e të drejtave të tyre.
Edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, AGK-ja së bashku me UN Women do të ndajnë çmimin vjetor për fuqizimin e gruas. Ndërkaq, drejtoresha e UN Women, Tuzi-Nushi shpalosi edhe shumë aktivitete të cilat do të realizohen në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës siç janë: gratë dhe pozita e tyre në strukturat vendimmarrëse në medie, trajnime praktike për gazetaret në Kosovë si dhe hulumtime të ndryshme të cilat kanë për qëllim paraqitjen e përfaqësimit të pabarabartë të grave dhe vajzave në medie.
Ishte dakordim i përbashkët që fundviti të jetë kohë kur AGK-ja së bashku me UN Women do të fillojnë me një cikël të ri trajnimesh dhe ndihmë konkrete për ngritjen e mëtutjeshme profesionale të grave në gazetari, nxjerrjen e statistikave të sakta dhe analizën e këtyre statistikave me një qëllim të përbashkët e që është avancimi i perspektivës gjinore në mediet në Kosovë.
(A.M / Epoka e re)