UNDP hap konkursin “Gara e Fotografisë Ecokosovo4” – Tash, që natyra të mos na ikën!
Zyra e UNDP-së në Kosovë, në bashkëpunim me UNV dhe WHO, përmes projektit ‘Kosovë e Shëndetshme 2’, të mbështetur nga Ambasada e Luksemburgut në Prishtinë, lansuan edicionin e 4-të të garës së fotografisë #EcoKosovo4. Ashtu si vitet e kaluara, edhe këtë vit, synohet që përmes kësaj nisme të shkrepen imazhet dhe momentet më inspiruese të mjedisit dhe shëndetit nga e tërë Kosova.
Pasi që natyra nuk mund të pres më, ne duhet të veprojmë tash, dhe çfarë tjetër më mirë se një fotografi domethënëse mund të edukojë dhe nxitë veprimin ndaj këtij problemi? Me temën ‘Tash, që natyra të mos na ikën’ ftohen fotografë amatorë dhe profesionistë, eksplorues dhe sportistë të gjithë ata që pasion e kanë fotografinë, që përmes një shkrepjeje të përcjellin urgjencën me të cilën kjo çështje duhet të trajtohet.
Garuesit duhet të realizojnë një foto cilësore të natyrës, gjelbërimit, botanikës, botës shtazore, e çkado tjetër që e bën të jetueshme planetin tonë; apo mënyrën se si do të ishte bota nëse të gjitha nga këto bukuri do të zhdukeshin; apo luftën e natyrës me ndryshimin klimatik dhe veprimet e vet njeriut, dhe ta postojnë në rrjetet e tyre sociale, Facebook, Instagram, Twitter, me një përshkrim origjinal, të ndjerë, duke përmendur #ecokosovo4 dhe bërë tag @ecokosovo dhe @undp.kosovo.
Të gjithë pjesëmarrësit e garës, që postojnë foto me temën në fjalë para 30 nëntorit, kanë mundësi të fitojnë njërën nga tri çmimet. Fotografitë fituese do të përzgjedhin në bazë të të shprehurit artistik, kreativitetit, origjinalitetit dhe çmimet do të dhurohen për ato më domethënëset.
Për më shumë, ndiqeni faqen e EcoKosovo në Facebook apo Instagram.
Projekti ‘Healthier Kosovo’ është një nismë e përbashkët e Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), Organizatës Botërore e Shëndetësisë (WHO) dhe Programit të Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV), mbështetur nga Ambasada e Luksemburgut në Prishtinë.