UNDP-ja: 56.2 e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Osmanit, 52.2 me Konjufcës dhe 48.9 me Kurtin
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar të mërkurën edicionin e 25-të të përmbledhjes së pulsit publik.
Anketa e opinionit e pulsit publik nxjerr në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike, politike, të sigurisë dhe mjedisit.
Përmbledhja e pulsit publik bazohet në të dhënat e mbledhura nga 8 nëntori deri më 27 nëntor 2023 dhe pasqyron opinionin e më shumë se 1 300 të anketuarve të moshës mbi 18 vjeç.
Të dhënat e mbledhura përmes kësaj ankete zbërthehen sipas gjinisë dhe përkatësisë etnike, për të ofruar informacion mbi dallimet e mundshme në perceptimet e qytetarëve për çështje të ndryshme zhvillimore në Kosovë.
Sipas këtij pulsi, 56.2 e qytetarëve janë të kënaqur me punën e presidentes Vjosa Osmani, 52.2 me punën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe 48.9 me kryeministrin Albin Kurti.
Disa nga gjetjet kryesore të anketës së opinionit përfshijnë:
Të dhënat tregojnë se mesatarisht 42.44 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës.
Kënaqshmëria me punën e kabinetit ekzekutiv është shënuar në 41.8 për qind, ndërsa kënaqshmëria me punën e kryeministrit është shënuar në 48.9 për qind.
Kënaqshmëria me Kuvendin ishte 38.7 për qind, ndërsa kënaqshmëria me kryetarin e Kuvendit ishte 52.2 për qind.
Kënaqshmëria me presidenten është regjistruar në 56.2 për qind.
Shkalla e kënaqshmërisë ishte 29.3 për qind ndaj gjykatave dhe 30 për qind ndaj prokurorisë.
Tre çështjet kryesore më të raportuara gjatë kësaj ankete ishin varfëria (28.6 për qind), papunësia (19.2 për qind dhe çmimet për artikuj të domosdoshëm (8.9 për qind). Shërbimet e kujdesit shëndetësor (8 për qind) dhe problemet e hapësirës urbane (3.8 për qind ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara.
Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se varfëria u renditet si problemi kryesor për shqiptarët e Kosovës (28.6 për qind) dhe komunitetet tjera të Kosovës (29.5 për qind), ndërsa problemet e hapësirës urbane (19.5 për qind) u renditën si problemi kryesor për serbët e Kosovës. Teksa papunësia ishte çështja e dytë më urgjente për 20.2 për qind të shqiptarëve të Kosovës dhe 13.8 për qind të serbëve të Kosovës, energjia elektrike u rendit e dyta për 14.5 për qind të komuniteteve të tjera të Kosovës.
Gjetjet treguan një rënie në ndjenjën e sigurisë në mesin e të anketuarve me 79.73 për qind që ndiheshin të sigurt kur ishin jashtë në rrugë. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se më shumë meshkuj (80 për qind) sesa femra (78.9 për qind)H deklaruan se ndihen të sigurt kur janë jashtë.
37.6 për qind e serbëve të Kosovës deklaruan se ndjehen të sigurt kur janë jashtë në rrugë (6.2 për qind deklaruan se ndjehen shumë të sigurt, ndërsa 31.4 për qind deri diku të sigurt). 80.8 për qind e shqiptarëve të Kosovës raportuan se ndjehen të sigurt (me 25.1 për qind që ndjehen shumë të sigurt dhe 55.7 për qind ndjehen deri diku të sigurt). Sa i përket komuniteteve tjera të Kosovës, 80 për qind kanë raportuar se ndjehen të sigurt (me 12.5 për qind që ndjehen shumë të sigurt dhe 67.5 për qind ndjehen deri diku të sigurt).
Anketa e opinionit e Pulsit Publik e nëntorit 2023 regjistroi një rritje të lehtë në Indeksin e Demokratizimit (DI) dhe një rritje në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (ECI). Më konkretisht DI-ja aktuale është rritur me 0.01 pikë në 1.49, ndërsa TKE është rritur me 0.15 pikë në 1.18.Një rritje pozitive në perceptimin e njerëzve për drejtimin ekonomik është vërejtur në anketën e opinionit të nëntorit 2023. Gjithsej 20.23 për qind ishin shumë të kënaqur ose të kënaqur me drejtimin ekonomik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht.
Ndryshimet më të mëdha sa i përket perceptimit të korrupsionit në shkallë të gjerë janë vërejtur në institucionet në vijim: Policia e Kosovës (nga 7.3 për qind në 17.9 për qind) dhe Komunat (nga 15.8 për qind në 21.7 për qind). Një rënie pozitive në perceptimin e korrupsionit në shkallë të gjerë është vërejtur në gjykata (nga 37.7 për qind në 28.8 për qind).
63.7 për qind e të anketuarve kanë theksuar se informacioni përmes mediave është se si ata e vlerësojnë praninë e korrupsionit në shkallë të gjerë në Kosovë, ndërsa gjithsej 30.5 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se bisedat me të afërmit dhe miqtë kanë formuar bazën e opinionit të tyre lidhur me shtrirjen e korrupsionit. Vetëm 5.5 për qind e të anketuarve pohuan se përvojat personale formësuan perceptimin e tyre për korrupsionin në shkallë të gjerë.
Të anketuarit u pyetën për gjasat për të votuar nëse zgjedhjet qendrore do të mbaheshin së shpejti. Gjithsej 72.8 për qind e të anketuarve pohuan se do të votonin nëse zgjedhjet qendrore do të mbaheshin së shpejti.
Të dhënat e anketës të opinionit së nëntorit 2023 treguan se 59.3 për qind e shqiptarëve të Kosovës dhe 32.4 për qind e serbëve të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa 62.5 për qind e komuniteteve tjera të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se marrëveshja do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës.