UNDP-ja certifikon trajnerët për instalimin e paneleve solare
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka organizuar një ceremoni certifikimi, duke festuar arritjet e trajnerëve të ardhshëm për instalimin e paneleve solare.
Kjo ngjarje, e mbajtur në Qendrën e Aftësimit Profesional, në Ferizaj, ka shënuar përfundimin e trajnimit rigoroz, të dizajnuar për t’i pajisur pjesëmarrësit me teknikat më të reja të instalimit solar, duke siguruar që ata të mund ta përcjellin këtë ekspertizë tek gjenerata e ardhshme e profesionistëve, në Qendrat e ndryshme të Aftësimit Profesional (QAP).
Në prani të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përfaqësuesit të përhershëm të UNDP-së, Nuno Queiros, dhe drejtoreshës ekzekutive të Agjencisë së Punësimit, Jehona Namani-Rexha, pesë trajnerëve nga QAP në Ferizaj, Mitrovica, Prizreni, Gjakova dhe Prishtina u janë dorëzuar certifikatat. Përkushtimi, puna e palodhur dhe gatishmëria e tyre për të kontribuar në industrinë e energjisë solare duke arsimuar gjeneratat e ardhshme të instaluesve të paneleve solare u mirëpritën nga të gjithë.
Aktiviteti që u përqendrua në trajnimin e instaluesve të paneleve solare dhe kishte për synim mbështetjen e integrimit të modulit për instalim solar në Qendrat e Trajnimit Profesional, ishte projektuar për të promovuar rimëkëmbjen e gjelbër, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe tranzicionin e energjisë, dhe u mbështet nga Projekti Premtimi Klimatik i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga UNDP-ja në Kosovë.