UNDP-ja dhe Luksemburgu ia dorëzojnë IKShPK-së 5 mijë komplete testesh ekstraktimi
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë së bashku me Qeverinë e Luksemburgut kanë dorëzuar sot ngarkesën e dytë të furnizimeve shëndetësore të përbërë nga 5 mijë komplete testesh ekstraktimi.
Këto teste i janë dorëzuar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky donacion vjen si pjesë e një marrëveshje të arritur midis Qeverisë së Luksemburgut dhe UNDP-së për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme për Kosovën për të luftuar COVID-19.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni ka theksuar rëndësinë e partneritetit në këto kohë të vështira.
“Testimi është komponentë e rëndësishme që ndikon në zvogëlimin e rasteve të përhapjes së virusit dhe kontributi i juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin e shëndetësisë në Kosovë. Shfrytëzoj rastin që të falënderoj UNDP-në dhe Luksemburgun dhe të shprehi mirënjohjen time për ndihmën dhënë në këtë periudhë të emergjencës së shëndetit publik”, ka thënë Vitia.
Ndërsa Maria Suokko, përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, ka thënë se ky donacion është bërë i mundur falë qeverisë së Luksemburgut.
“UNDP i gjendet pranë institucioneve të Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19. Donacioni i sotëm u bë i mundur përmes kontributit bujar nga qeveria e Luksemburgut përmes LuxDev në Kosovë të cilët i falënderojmë me gjithë zemër. Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera në Kosovë për t’i mbështetur ata në përmbushjen e nevojave të menjëhershme dhe menaxhimit të efektshëm të krizës”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, Natacha Gomes, ushtruese e detyrës së të ngarkuarës me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Prishtinë, ka thënë se si partner tash e sa kohë, Luksemburgu mbështet Kosovën në luftën kundër Covid-19.
Marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut përmes Lux Development S.A. kap vlerën e përgjithshme prej 1 milion euro nga e cila 460 000 euro do të përdoren për blerjen e deri 20 000 testeve të zbulimit dhe ekstraktimit Covid-19 për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. (L.G: ‘Epoka e re’)