UNDP-ja dorëzon pajisje dhe artikuj mbrojtës për Ministrinë e Financave dhe Transfereve
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, si reagim të menjëhershëm ndaj Covid-19 dhe në përputhje me mandatin për të zhdukur varfërinë dhe për të zvogëluar pabarazitë, ka siguruar laptopë dhe artikuj mbrojtës për Divizionin e Ndihmës Sociale (DNS) në Ministrinë e Financave dhe Transfereve (MFT).
Pajisjet do t’i mundësojnë Qendrës për Punë Sociale (QPS) të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë më efektive edhe tani, gjatë kufizimeve të lëvizjes.
Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve, Christoph Weidinger, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, zyrtarë të MFT-së dhe UNDP-së ishin të pranishëm në pranim-dorëzimin e këtij donacioni, ceremonia e të cilit është zhvilluar në hapësirat jashtë Ministrisë së Financave dhe Transfereve.
Ky donacion është pjesë e projektit rajonal Promovimi i Zgjidhjeve Gjithëpërfshirëse të Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor (ILMS II) i financuar nga Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA). Projekti synon të lehtësojë punën e Divizionit dhe Qendrave për Punë Sociale në implementimin e Pakos Emergjente Fiskale të Qeverisë në përgjigje të Covid-19.
Donacioni i sotëm përfshin:
12 laptopë për të lehtësuar punën e DNS-së;
500 maska mbrojtëse KN95;
500 sanitizatorë për duar 500 ml;
200 pako dorëzash mbrojtëse;
82 kartela për telefona mobil (prej 20 euro) për punëtorët kyç që t’ju lehtësojë komunikimin me klientët gjatë ofrimit të shërbimeve dhe zbatimit të masave emergjente të qeverisë. (L.G/ Epoka e re)