UNDP-ja e gatshme të mbështet projektet e MPB-së
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka pritur në takim ushtruesen e detyrës së përfaqësueses së përhershme të UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme me UNDP-në në Kosovës.
Me këtë rast ministri Mustafa ka falënderuar përfaqësuesen e UNDP-së për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë në ngritjen e kapaciteteve për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në mbështetje të projekteve të përbashkëta.
Në këtë takim u diskutua edhe për projektet konkrete që është duke i mbështetur UNDP-ja, sa i përket procesit të legalizimit të armëve në Kosovë dhe mbështetjen sa i përket forcimit të kapaciteteve për siguri kibernetike.
Ndërsa Alessandra Roccasalvo e ka njoftuar ministrin për të arriturat dhe planet e projektit të Kosovës për Siguri (KSSP) të UNDP-së, i cili tashmë që dhjetë vite mbështet Ministrinë e Punëve të Brendshme në shumë fusha, si dhe u shpreh e gatshme për të mbështetur në projekte tjera MPB-në.
/Epoka e re/