UNDP-ja lason pulsin publik: Konjufca pëlqehet më së shumti nga qytetarët
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar të hënën edicionin e 21-të të Pulsit Publik.
Në këtë dokument është përmbledhur niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve karshi institucioneve të Kosovës.
Sipas Pulsit Publik, qytetarët e Kosovës më së shumti janë të kënaqur me punën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili pasohet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Njoftimi i plotë i UNDP-së:
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar sot edicionin e 21-të të përmbledhjes Pulsi Publik në një prezantim virtual të gjetjeve kryesore.
Në vijim janë disa nga gjetjet kryesore nga më shumë se 1 300 të anketuar:
• Edhe pse të gjeturat tregojnë një rënie të lehtë të nivelit të kënaqësisë me të gjitha institucionet e Kosovës, në përgjithësi, ato mbeten më të larta se mesatarja gjatë viteve të kaluara.
• Niveli i kënaqshmërisë me presidenten kap vlerën prej 55.2 për qind.
• Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit është 53.2 për qind.
• Niveli i kënaqshmërisë me performancën e ekzekutivit kapi vlerën 47.6 për qind.
• Niveli i kënaqshmërisë me kryetarin e Kuvendit ishte 55.4 për qind, ndërsa kënaqshmëria me punën e Kuvendit të Kosovës ishte 50.3 për qind.
• Ka pasur rritje të shkallës së kënaqshmërisë me zyrën e kryeprokurorit, me shkallë të kënaqshmërisë prej 34 për qind.
• Kënaqshmëria me drejtimin politik të Kosovës është rritur për 6 pikë përqindjeje (30.7 për qind) dhe paraqet nivelin më të lartë të kënaqshmërisë të regjistruar ndonjëherë nga anketat e Pulsit Publik
• Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike ka tejkaluar, për here të parë, pragun duke kapur vlerën 1.52 pikë që sugjeruar se më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës kanë pikëpamje pozitive për perspektivën ekonomike të Kosovës.
• Tri çështjet kryesore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia (26.7 për qind), varfëria (24.3 për qind) dhe mjedisi (10.1 për qind). Kjo është hera e pare që mjedisi identifikohet si njëri nga problemet kryesor në Kosovë.
• Problemet e hapësirës urbane dhe çmimet e artikujve esencialë janë ndër 5 çështjet kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.
• Gjithsej 77.6 për qind e të anketuarve (do të votonin për një parti të caktuar politike, ose një koalicion, nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin në të ardhmen e afërt.
• 51 për qind e të anketuarve deklaruan se Covid-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike. Gjithsej 43.9 për qind deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik dhe 50.7 për qind treguan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor.
• Gjetjet tregojnë rënie të lehtë të ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 73.6 për qind që ndihen të sigurt kur janë jashtë. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se ndjenja e sigurisë është më e ulët tek femrat (71.5 për qind) sesa tek meshkujt (75.4 për qind).
Ky vit shënon 20 vjetorin e Pulsit Publik që është pasardhës i raporteve të sistemit të paralajmërimit të hershëm, i cili u ofron palëve të interesuara në Kosovë të dhëna në kohë për stabilitetin institucional dhe socio-ekonomik duke shërbyer si një mjet analitik për përpjekjet zhvillimore. UNDP në Kosovë i është mirënjohëse popullit amerikan që e ka financuar projektin përmes USAID-it që nga fillimi.