UNDP-ja mbështet Gjykatën Themelore në Mitrovicë me dhjetë përkthyes

24 prill 2019 | 18:04

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka nënshkruar të mërkurën një marrëveshje për të mbështetur Gjykatën Themelore në Mitrovicë me dhjetë përkthyes për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi për të gjitha komunitetet.

Marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo dhe zëvendëskryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ali Kutllovci. Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës ka më shumë se 10.000 raste gjyqësore urgjente dhe shumica e lënëve duhet të jenë në dispozicion në të dy gjuhët zyrtare, shqip dhe serbisht.

UNDP-ja do të ndihmojë këtë gjykatën të zvogëlojë numrin e rasteve të mbetura duke angazhuar dhjetë përkthyes të cilët do të përkthejnë drejtpërdrejt në seancat gjyqësore si dhe do të bëjnë përkthimin me shkrim shkresat e lëndëve. Iniciativa do të kontribuojë në zbatimin e ligjit për gjuhët zyrtare dhe në përmirësimin e qasjes me kohë të drejtësisë për të gjithë.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, ka thënë se identiteti i gjuhës është një e drejtë njerëzore siç përcaktohet në nenin 22 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. “Jemi të lumtur që mbështetja jonë do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit të gjykatës dhe në përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjithë. Marrëveshja e sotme është pjesë e punës më të gjerë të UNDP-së në fushën e sundimit të ligjit dhe shpresojmë të vazhdojmë me mbështetjen tonë për institucionet e Kosovës në këtë fushë”, ka thënë Roccasalvo.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, të mërkurën, ka bërë hapjen…