UNDP-i dhuron pajisje për Policinë e Kosovës
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes Projektit për Siguri në Kosovë (KSSP) të premten i ka dorëzuar pajisje teknike shtesë Policisë së Kosovës (PK).
Me këtë rast Policia e Kosovës përkatësisht Pika Referuese për Armë të Zjarrit (FFP) ka përfituar gjashtë laptopë, dy tableta dhe pajisje mbështetëse.
Këto pajisje do të rrisin më tej kapacitetet e FFP-së, veçanërisht Njësisë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zbatimin e Ligjit (ILECU), sektor ky që lufton trafikimin e paligjshëm të armëve.
“Pika Referuese për Armë të Zjarrit (FFP) është e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor dhe tani po përdoret si praktikë më e mirë për juridiksionet fqinje në vendosjen e pikave të tyre referuese, duke e bërë Kosovën një eksportues të sigurisë. Përveç kësaj, sipas Planit të Veprimit të Evropës Juglindore, Pika Referuese e Armëve të Zjarrit është një domosdoshmëri në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve”, është thënë në komunikatën e UNDP-së.
Drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës Riza Shillova, dhe përfaqësuesit e UNDP-së, Marta K. Gazideda, manaxhere e Portofolit për Qeverisje dhe Ndërtim të Paqes dhe Zëvendës Koordinatore e Programit dhe Alain Lapon, menaxher i Projektit të KSSP-së kanë deklaruar që ky partneritet do të mbështet më tej zhvillimin e politikave dhe teknikave të gjurmimit, duke përforcuar nivelin e hetimit të krimeve me armë në Kosovë.
Këto pajisje teknike i ka mundësuar kontributi financiar nga Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për Mbështetjen e Bashkëpunimit për Sistemimin e Armëve (UNSCAR).
/Epoka e re/