UNDP-ja: Mungesa e punësimit, varfëria, nepotizmi dhe korrupsioni, sfidat kryesore në Kosovë
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka lansuar të martën analizën e Pulsit Publik mbi çështjet e rinisë, financuar nga USAID në Kosovë.
Ky dokument analizon perceptimet, qëndrimet dhe pritjet e të rinjve në Kosovë lidhur me kënaqshmërinë e tyre me situatën e përgjithshme në Kosovë, migrimin, arsimin, punësimin, marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivat për të ardhmen.
Anketa e cila venë në pah ketë analizë është zhvilluar në janar të vitit 2018 me 452 respodentë kosovarë të moshës prej 14 deri 35 vjeç.
Rezultatet e kësaj analize tregojnë se pjesa më e madhe e respodentëve janë pesimist lidhur me të ardhmen e Kosovës, përderisa shumica prej tyre konsiderojnë se mungesa e rasteve për punësim, varfëria, nepotizmi dhe korrupsioni janë sfidat kryesore të perspektivës së tyre në Kosovë.
Po ashtu ky studim i UNDP-së ka marrë parasysh mendimet e shtatë fokus grupeve me 82 respodentë nga Prizreni, Gjilani, Mitrovica, Graçanica, Mitrovica e veriut, Peja, dhe Prishtina.
Të pranishëm në lansimin e analizës së Pulsit Publik, kanë qenë zëvendëspërfaqësja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo dhe drejtori i Zyrës së Programit të USAID-it në Kosovë, Paul Vaca.
Gjatë adresimit para medieve, Alessandra Roccasalvo, ka theksuar se vërehet një vullnet për të ikur nga Kosova. Sipas saj ky vullnet është shumë i lartë.
“Kjo tregon gjithashtu se njerëzit duan të punojnë, duan të punojnë për një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre”, ka thënë Roccasalvo.
Ndërsa Paul Vaca ka thënë se rinia në Kosovës kërkon që institucionet të ofrojnë arsim më të mirë, të krijojnë më shumë vende pune, të zvogëlojnë varfërinë dhe të luftojnë nepotizmin dhe korrupsionin.
/Epoka e re/