UNDP-ja do të vazhdojë përkrahjen për Policinë e Kosovës
Ushtruesi i detyrës së drejtori të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, ka pritur në takim një delegacion nga UNDP-ja, të kryesuar nga Alessandra Roccasalvo, zëvendëspërfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë.
Rexha ka njoftuar të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat strategjike të Policisë së Kosovës, në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.
Njëkohësisht, Rexha ka çmuar lartë angazhimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të UNDP-së në përgjithësi, e me theks të veçantë për ofrimin e ndihmës rreth projektit të shkatërrimit të armëve të vogla.
Në takim është diskutuar edhe rreth forcimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me ç’rast Alessandra Roccasalvo, ka ritheksuar se UNDP-ja do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen edhe në të ardhmen për Policinë e Kosovës.