UNDP-ja vlerëson punën e ministres Reshitaj, premton mbështetje për mjedisin
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur në një takim pune koordinatoren e OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së, Ulrika Richardson.
Në këtë takim të parë njoftues me përfaqësuesen nga UNDP-ja, ministrja Reshitaj ka diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit si dhe ka informuar për hapat e ndërmarra në fuqizimin e mbrojtjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
E para e MMPH-së, Reshitaj e ka uruar Richardson për marrjen e detyrës si përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, dhe ka shprehur falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme që ky mision po i jep Kosovës në projekte të ndryshme në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të ujërave.
“Shikuar nga këndi mjedisor, të gjithë ne ndajmë një planet të vetëm, prandaj është e palogjikshme që implikimet e politikës ditore të stopojnë bashkëpunimin në fushën e mjedisit. Ngase në fund të fundit, ndotja e ajrit, degradimi i tokës dhe problemet e tjera mjedisore nuk njohin ndonjë kufi politik dhe si të tilla duhet të zgjidhen bashkërisht”, ka thënë ministrja Reshitaj.
Ndërsa përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Ulrika Richardson, ka përgëzuar ministren Reshitaj për politikat reformuese në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, sidomos në ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore.
Ministrja Reshitaj dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Richardson, ranë dakord për bashkëpunim të mëtutjeshëm në projekte të ndryshme në fushën mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
/Epoka e re/