Unë dhe babai
Nga: Pär Lagerkvist (fitues i Çmimit Nobel për Letërsi më 1951)
Përktheu nga suedishtja: Qerim Raqi
Kur isha rreth dhjetë vjeç, më kujtohet, babai më kapi për dore një të diel pasdite dhe dolëm në pyll për ta dëgjuar këngën e zogjve. U përshëndetëm me nënën, e cila duhej të qëndronte në shtëpi për ta gatuar darkën, prandaj nuk na u bashkua. Dielli po shkëlqente ngrohtë dhe ne ishim në rrugë të mbarë. Nuk e morëm aq solemnisht këtë me këngën e zogjve, sikur diçka veçanërisht e këndshme apo e çuditshme, ne ishim njerëz të arsyeshëm, si babai, ashtu edhe unë, të edukuar dhe të mësuar me natyrën. Kjo nuk bënte ndonjë bujë të madhe për ne. Ishte vetëm sepse ishte e diel pasdite dhe babai ishte i lirë. Po ecnim në linjën hekurudhore, ku askush tjetër nuk lejohej të shkonte, por babai ishte mësuar me rrugën pranë hekurudhës dhe e zotëronte atë. Në këtë mënyrë edhe ne u futëm në pyll. Nuk u desh të bënim asnjë kthesë. Së shpejti filloi edhe kënga e shpendëve dhe gjithçka tjetër; cicërima brenda shkurreve të fokave dhe zogjve këngëtarë, harabelave dhe mëllenjave, gjithë zhurma e tyre që të rrethon sapo hyni në pyll. Toka ishte e trashë me lulebore, mështeknat tani kishin bleruar dhe bredhat ishin lëshuar lastarë të freskët. Vinte erë nga të gjitha anët dhe skutat. Në anën e poshtme shtrihej fundi i pyllit që avullonte nga dielli sipër. Kudo ku kishte jetë dhe zhurmë, nga vrimat e tyre fluturonin grerëzat, mushkonjat vërshonin nga qielli dhe nga shkurret zogjtë lëshoheshin si fishekë për t’i kapur dhe zhyteshin përsëri shpejt. Papritur erdhi një tren duke zhurmuar dhe ne zbritëm në argjinaturë. Babai e përshëndeti lokomotivistin me dy gishta ngritur mbi kapelë, edhe lokomotivisti e përshëndeti babanë me dorë. E tëra ndodhte shpejt. Më pas u nisëm drejt shinave që ishin djersitur në katranin e tyre nën rrezet e diellit. Mbante erë gjithfarë, vaj vagonësh dhe lule bajame, katrani dhe shqope dhe gjithçka tjetër. Ne bëmë hapa të mëdhenj në hekurudhë dhe jo në zhavorr, që ishte i ashpër për të ecur dhe na i griste këpucët. Binarët shkëlqenin në diell. Në të dyja anët e linjës kishte shtylla të telefonit që këndonin derisa kalonim pranë tyre. Po, ishte një ditë e bukur. Qielli ishte mjaft i kthjellët, nuk dukej asnjë re, as nuk mund të kishte ndonjë re në këtë ditë, sipas asaj që tha babai. Pas ca çastesh ne erdhëm te një arë me tërshëre në të djathtë të linjës, ku një bujk që e njihnim kishte një luadh. Tërshëra ishte e dendur dhe kallinjtë ishin rritur në mënyrë të barabartë. Babai i largonte me dorë dhe dukej se ishte i kënaqur.