Unë dhe vdekja

27 gusht 2020 | 15:26

AFRIM DEMIRI

 

Unë dhe vdekja

ndiqemi marrëzisht

brenda katrorëve

magjikë

në lojën e kurtheve

të padukshme

Herë dalim përballë

e herë strukemi

pas maskash

si gjahtarë tinëzarë

Unë dhe ajo, herë

Mbret e Mbretëreshë

e herë kali e top vendnumërojmë gjatë

në pritje të gjahut

plot kob

Unë i bardhë si borë

ajo e zezë pis

bëjmë leqe, bardh e zi

fshihemi mes figurave

si mes lisave të pyllit

të shpëtimit

në kërkim të një jete

në të sosur

Si vdekje e vërtetë

përtej kurtheve

më sheh dhe më gjuan

me Shu, Sheh, Shah

E unë e ndiej

se po bie, ah

në mat

si të bie nga i shtati

kat

Të lodhur nga ndjekja palosemi të dy në kuti

ashtu siç paloset

një ditë në gjirin

e një nate

derisa dielli e fillon lojën përsëri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy zonja ka disa orë që po rreziten këtu, shumë…