“Unë, Fitim Latifi e kreva grabitjen e jo Kastriot Shala” – shoku i qelisë po vuan për krimin tim

25 prill 2025 | 21:08

26-vjeçari Fitim Latifi nga Gjilani, i dënuar për disa vepra të mëparshme penale, kuptoi se shoku i tij i qelisë, 29-vjeçari Kastriot Shala nga Truda e Prishtinës, po vuante dënimin për një vepër që thotë se e ka kryer vetë Fitimi.

Bëhet fjalë për tentim-grabitjen e një këmbimtari valuator në Gjilan, në maj të vitit 2018, si dhe për armëmbajtje pa leje, vepra për të cilat, përveç Shalës, është dënuar edhe 33-vjeçari Leutrim Latifi.

Për Fitim Latifin, as qelia nuk ia ngushtonte më shumë shpirtin se sa e vërteta që nuk mund ta tregonte.

Për atë se çfarë ndodhi në natën e 14 majit të vitit 2018, Fitimi Latifi e shkroi me dorë në një copë letre.

Kiks Kosova siguroi letrën në të cilën Latifi e kishte shprehur edhe mërzinë e frikën që e kishte kapluar prej kur mori vesh që cimeri i qelisë, Shala, po vuante dënimin për tentim grabitjen e 2018-ës, të cilën pretendon se e ka bërë ai e jo Kastrioti.

Në fakt, kjo deklaratë ishte shkruar pak ditë pasi bisedoi me Kastriotin. Në fillim nuk guxoi t’i tregonte atij, kështu që vendosi që fillimisht t’ia rrëfente një shoku tjetër të qelisë, Arben Sinanit.

Dëshminë që Fitimi e shkroi përmes letrës në burg, më 20 prill 2024, e dorëzoi në drejtori. Por, si duket nuk u mor parasysh.

Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që 26 vjeçari tentonte të tregonte për atë që thotë se e kishte bërë.

Që në fillim të vuajtjes së dënimit para 3 vjetësh, ai kishte dërguar fjalë te një hetues policor për t’i rihapur hetimet. Edhe babait i kishte kërkuar që ta njoftonte policinë, por askush nuk erdhi ta merrte në pyetje.

Qëllimi pse Fitimi donte ta pranonte fajin, është për siç ka thënë ai të fillonte nga e para dhe t’iu kthehej familjes.

Frika e mbante të stepur, faji nuk e linte të qetë, sidomos kur në qeli kishte përballë njeriun që, sipas tij, po e vuante dënimin për krimin që e kishte bërë ai.

Letra e shkruar me dorë nga 26 vjeçari e shtyu avokaten e Kastriotit të kërkoj nga Prokuroria e Shtetit t’i rihapë hetimet, me arsyetimin se kryesi i veprës penale të grabitjes në tentativë nuk është Kastriot Shala por Fitim Latifi.

Kërkesa e avokatës u pranua. Siç duket zëri i të burgosurit Fitim Latifi, më në fund do të dëgjohej. Pas ekzaminimit psikiatrik, Fitimi u vlerësua si i aftë për proces gjyqësor.

Më 31 janar të vitit 2025, ai dha një deklaratë zyrtare në Prokurorinë e Gjilanit.

Përballë prokurorit Agron Uka, avokatit të tij dhe avokates së Kastriotit, ai tregoi në detaje si ndodhi gjithçka.

Sipas Fitimit, më 14 maj 2018, pas orës 22:00, bashkë me dy të tjerë e ndoqën këmbimtarin nga mbrapa me veturë. Kur ai po parkonte biçikletën para shtëpisë, tentuan t’ia marrin çantën ku ndodheshin mbi 4 mijë euro.

Sipas Fitim Latifit, kishin pasur dy armë një me gas dhe një tjetër e markës ‘Zoraki’. Ai thotë se kishte shtënë dy herë, vetëm për ta frikësuar këmbimtarin dhe për ta larguar nga vendi i ngjarjes, pasi siç ka thënë ai ishin kacafytur për rreth 10 minuta para shtëpisë së tij.

Të njëjtat armë, ai ka treguar se i hodhi në liqe.

Kiks Kosova kërkoi intervistë me Fitim Latifin, por Burgu i Dubravës e refuzoi kërkesën. Kjo pasi është i dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg për një vjedhje të rëndë dhe aktgjykimi ende nuk është i plotfuqishëm. Sipas tyre, një intervistë publike mund ta ndikojë procesin gjyqësor. /KlanKosova/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se arritja e një marrëveshjeje…