Unë i them Kurtit hape urën e nesër aty më ka
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se si AAK, nuk i kanë kundërshtuar veprimet e Kurtit në veri, por e kanë kundërshtuar moskoordinimin me faktorin ndërkombëtar.
Lekaj, ka thënë se nëse Kurti e hap urën tani atë do ta ketë aty të parin.
“Edhe unë jam për hapjen e urës, edhe unë jam që të mos kemi asociacion me kompetenca ekzekutive, edhe unë jam për shtrirje të sovranitetit, por kemi një dallim, ne si AAK asnjëherë nuk i kemi kundërshtuar veprimet e Kurtit në veri, por e kemi kundërshtuar moskoordinimin me faktorin ndërkombëtar. Pse tani Kurti nuk e hap urën tash? Çfarë matje është ajo me dy kamionë a ka forcë ura me mbajt? Kjo është mashtrim për qytetarët. Unë i them Kurtit hape urën e nesër aty më ka” ka thënë Lekaj në Tëvë1.
Sipas Lekajt, Kurti me veprimet e tij populiste dhe të pakoordinuara ka bërë që serbët të mos jenë më të integruar në institucionet e Kosovës.
“Ne kemi pasur integrim të serbëve në veri të Kosovës, edhe në gjyqësi edhe në arsim edhe në shëndetësi dhe tani sot pas 4 viteve ata më nuk janë në institucionet tona dhe nuk janë pjesë përbërëse të shërbimeve që i kanë me kushtetutë dhe me ligj. Me veprimet populiste e të pakoordinuara, na ka sjellë në këtë situate, që tani duhet bukur kohë e madhe që të integrohen në institucionet e Kosovës”, ka shtuar Lekaj.