UNË IA PASHË MENDTË SI I DILNIN
DIJE DEMIRI-FRANGU
UNË IA PASHË MENDTË SI I DILNIN
(Një nëne në Bllacë, prill 1999)
Unë ia pashë mendtë si i dilnin
I fluturonin si zogj duke lëshuar krrokama ogurzeza
Duke hyrë nëpër retë ato humbnin si fjalë pa zë
Në formë kujtimesh me krahë
Në formë dhembjesh të ujëta
Në formë atdheu
Në formë shtëpie
Shpërndaheshin shesheve të qiellit e
As Zoti nuk arrinte t’i kapte dot
Dëbohej gjithçka nga trupi nga shpirti i saj
Vetëm furtunë frike e mbështillte
Unë e pashë si për çast i humbën sytë
Iu zbrazen nga bukuria
Sa të lumtur jeni ju që nuk e keni parë
Mendtë si fluturojnë si humbin
Zoti e bekoftë atë NËNË!
E ENDE JAM GRUA
(monolog i një të dhunuare)
Në trupin tim kam plot gropa të thella të zeza
Mbushur helme mbushur pështymë
Që zgjerohen si gojë çorapësh të qelbosura
Çdo mëngjes ngjallen shembin shikimin tim
Netëve si gojë të ndyra të padhëmbë
Nxjerrin zëra të nëndheshëm
Unë rrotullohem viteve, rrotullohem dyshekut
Duke provuar t’mos i zgjoj kujtimet
Se ende jam grua unë
Dhe lëkura ime ka memorie të fortë
Kafshimet e merimangës së zezë
Pëlcasin turpshëm si kallo mbushur ujëra fekale
Kafshimet që e bën gjak gojën dheut
Ditëve kur bombat shpërthenin lirinë
E unë ende jam grua besoni, jam nënë
Në gjirin e kafshuar nga merimanga e zezë
Thithë qumështin biri im…
SYTË E VRARË TË DUBRAVËS NË MAJDANEK
(23 maj 1999)
Në Poloni, Para Hotel Pumis, rruga Wronska, 5 –Lublin
pranvera ishte shtrirë lakuriq
Krejt gjelbër sy e gjinj e flokë
Për hir të fëmijëve refugjatë se
Më shumë ajër na duhej neve që kishim varur hejbet e shpirtit
Në drunjtë e parqeve polake
Sa i mirë ishte qielli atje disi asnjë re nuk i ecte fytyrës
Asnjë brengë
E ne në vend se me shputa
Ecnim me brenga kyçeve shembur qanim
Për qiellin e Dubravës mbushur sy të vrarë
Nga sytë tanë rridhte robëria
Si gjak rridhte si eshtra, mijëra fytyra fëmijësh pleqsh
Na binin nga qepallat si lot të ngurtë
Zemrat shkuleshin si drunjtë nga toka e lashtë
Për t’u mbjellë në ditën që pritej të vinte
KËPUCËT E MARIA BIELIEKËS
(Kampi Mjadanek-Lublin, 31. 05. 1999)
Kufomat e Reçakut më prinin si ushtarë të disiplinuar
Unë ecja pa frymë pas tyre
Për të hyrë në Unterkunfist Baraka nr.3, Majdanek
Ku merrnin frymë
Flokë damash hebreje, këpucë takelarta për ballo nate
Kapela që i zbukuronin fjongot për takime dashurie
Më vdisnin sytë pak nga pak, duke parë vetëm gjëra të vdekura
Në duar shtrëngoja këpucët e Zonjës Maria Bieliekës, pluhurin nacist duke ua fshirë
Mendoja, diku maleve të Kosovës
Jonës tamam do i binin,
Ecja ajrit si somnabul
Me këpucët e Maria Bieliekës mbathur
Për t’u kthyer në Kosovë
(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)