UNË JAM FADIL VOKRRI
Bedri Zyberaj
Nuk jam i dhënë me aq pasion pas sporteve në përgjithësi, as pas futbollit në veçanti. Për këtë arsye njohuritë e mia për sportet janë modeste. Por, kjo gjë nuk paraqet ndonjë pengesë paraprake që, me raste, të mos them ndonjë fjalë për sportistët e veçantë, të cilët me talentin e tyre janë imponuar si yje dhe me shkëlqimin e vet janë bërë shënjues të kohës së vetë dhe, herë-herë, kanë bërë që epokat të emërtohen me emrat e tyre. Kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen.
Mund të thuhet kështu sepse shkëlqimi i tyre, pavarësisht se ndërlidhet me një segment të jetës sonë të përbashkët, bëhet shënjues i diçkaje që shkon përtej atij segmenti jetësor.
I tillë ishte Fadil Vokrri, për të cilin, gjatë këtyre tri ditëve, u thanë shumë fjalë në radiot dhe televizionet tona, u shprehën shumë mendime dhe u shkruan shumë artikuj në medie dhe rrjete sociale nga ata që e kanë njohur për së afërmi dhe në distancë, nga gazetarë dhe tifozë të shumtë të futbollit. Në të gjitha ato që u thanë dhe u shkruan, përveç keqardhjes për vdekjen e parakohshme, gjë që paraqet anën njerëzore të reagimit të tyre për një vdekje të parakohshme, në formë nostalgjie, u shprehën edhe konsideratat për kohën kur kishte shpërthyer talenti i Fadil Vokrrit dhe, në saje të këtij shpërthimi, së bashku me ekipin ku luante – Prishtinën, ia kishin dalë të shënonin një epokë të ndritur në fushën e futbollit duke i dhënë asaj namin e rrallë dhe emrin e vet.
Dhe për ta kujtuar e respektuar edhe një herë madhështinë e figurës së tij prej sportisti (futbollisti në këtë rast) dhe për ta shprehur konsideratën dhe mirënjohjen time për këtë gjë, përmes këtij shkrimi, në formë nekrologjie, po e ndiej të nevojshme dhe po përpiqem të vë në pah një dimension tjetër, më shumë se sportiv, më shumë se kulturor të këtij njeriu, emri i të cilit, kur doli në skenë në vitet e ’90-ta, të shek. të kaluar shënoi një shkallë të madhe ndryshimi të kohëve. Me këtë rast, po përpiqem që më shumë në formë të nëntekstit të vë në pah një dimension tjetër të kësaj epoke që shkon përtej lëmit të sportit dhe që lidhet me emrin e Fadil Vokrrit
Unë dhe brezi im, sikurse edhe vetë Fadil Vokrri, jemi rritur në një kohë kur kishte zënë të ngjallej interesimi për futbollin dhe sportet e tjera. Mirëpo, si pothuajse në të gjithë lëmenjtë e jetës që atëbotë kishim mungesë shëmbëlltyrash dhe modelesh, edhe në fushën e futbollit ende nuk kishim ndonjë emër të njohur me të cilin do të mund të identifikoheshim dhe ta shprehnim dëshirën tonë që t’i ngjanim atij. Të bëheshim si ai.
Këtë vakum e plotësonim me emra futbollistësh të ekipeve të ndryshme të ish-republikave të ish-Federatës së Jugosllavisë dhe të përfaqësueses së këtij shteti. Ndër më të dalluarit dhe ndër më të admiruarit nga brezi ynë (meqë tonin nuk e kishim) ishte një “ikonë” e futbollit jugosllav të asaj kohe që, për mendimin tim, më shumë sesa për talentin, ishte i imponuar si i tillë në saje edhe të motiveve politike. Dhe investimi i atyre që e kishin menduar këtë gjë, kishte rezultuar me sukses, sidomos në mjedisin tonë që në këtë segment jetësor kishte mangësi dhe ishte në fazën e vet parapërgatitore.
Te ne, siç e thashë, në këtë kohë kishte filluar të zgjohej interesimi për llojet e ndryshme të sporteve. E njëjta vlen edhe për futbollin. Atëbotë, sado që në mjedise të papërshtatshme, kishim filluar të shfaqnim dhe ta konkretizonim dëshirën tonë për dhe në këtë lojë, paçka se shpeshherë topat i kishim të improvizuar me lecka.
Pasioni ynë prej fëmijësh, që në rend të parë kishim mungesë djallëzie (siç rëndom janë fëmijët e gjithë botës), na pat nxjerrë jashtë hapësirës sonë gjuhësore për t’i gjetur shëmbëlltyrat e duhura dhe të dëshirueshme nga ne edhe për këtë sport.
Në saje të kësaj “nevoje” dhe të atij “imponimi” për të cilin fola më lart, gjatë lojërave të futbollit që zhvillonim në oborre shkollash fillore apo terrene të tjera të improvizuara për lojëra të rastit që zhvillonim si fëmijë që ishim, përveç talentit që përpiqeshim ta shpalosnim përmes lojës (dhe të tillë kishte shumë mes nesh, paçka se unë nuk isha një nga ta), shpeshherë me naivitetin e fëmijëve kishim dëshirë të papërmbajtur që atë talent ta dëshmonim (kjo ndodh edhe sot me fëmijët) edhe deklarativisht duke përzgjedhur ndonjë lojtar që të identifikoheshim me të. I pari dhe më i “dëshirueshmi” për brezin tim ishte “ylli” i atëhershëm i futbollit jugosllav, një emër që (kërkoj mirëkuptim për vlerësimin, mbase të gabuar, sepse njohuritë e mia janë sipërfaqësore për këtë lëmë, por dua ta them me sinqeritet atë që e mendoj) vlerësoj se më shumë ishte i ndihmuar sesa i talentuar për ta arritur famën dhe emrin që e kishte arritur.
Secili prej nesh, kur luanim me një dëshirë dhe pasion të papërmbajtur, shprehnim atë dëshirën tonë që t’i ngjanim këtij “ylli” dhe pa asnjë fije djallëzie thërrisnim me zjarrin e tifozllëkut, por edhe me zjarrin e një dëshire të madhe se jemi Gjaiqi i Crvena Zvezdes (Yllit të kuq) të Beogradit, ose se do të bëhemi si ai.
Me këtë model jemi “ushqyer” derisa nuk doli në skenë Fadil Vokrri.
Në vitet e ’90-ta, kur unë isha student, njëherë, derisa po kthehesha nga Mensa e Studentëve (duhet të ketë qenë viti 1984) në banesë, në një rrugë që më shpinte për në banesën time, shikoj disa fëmijë duke luajtur dhe ata, si me krenari dhe me mburrje i thërrisnin njëri-tjetrit, derisa driblonin me top: Vokrri! Vokrri! Kuptohet, secili këtë epitet ia thoshte vetes në atë rast. U ndala t’i shikoja për pak çaste. Njëri shënoi gol dhe, kur u kthye të përshëndetej me shokët për shënimin, thirri: Unë jam Fadil Vokrri.
Mua më bëri përshtypje kjo gjë dhe, të them të drejtën, më erdhi shumë mirë për këtë ndryshim. Tani ata ishin një brez tjetër që e donin, e pëlqenin, e adhuronin dhe shprehnin dëshirën e papërmbajtur që t’i ngjanin Fadil Vokrrit dhe jo si brezi ynë i mëparshëm që shëmbëlltyrë kishim një tjetër, të “huaj” – Gjaiqin.
Tani ishte bërë një kërcim cilësor sepse më nuk ia kishim nevojën shëmbëlltyrës që ishte nga një mjedis tjetër etnik, por e kishim tonin dhe ky ishte Fadil Vokrri.
Aty e tutje vazhdoi epoka e Vokrrit që më vonë do të pasohet nga emrat e tjerë si Kujtim Shala, Sokol Kushta, Erjon Bogdani, Besnik Hasi, Lorik Cana etj.
Kjo ishte një epokë e re dhe pa dyshim se i përkiste atij që e kishte mundësuar këtë ndryshim. Prandaj, ajo nuk mund të kishte emër më të mirë sesa Epoka e Vokrrit.
Të tillë e kujtoj unë Fadil Vokrrin dhe i përkulem me respekt shëmbëlltyrës së tij si futbollist me talent të rrallë.
U prehtë në paqe trupi i tij dhe i ndrittë shpirti për jetë!
Prishtinë,
Më 12. 6. 2018