
‘Unë nuk jam lojë, nuk i besoj kësaj gjykate’, Ismet Tara ‘shpërthen’ në Gjykatën Speciale të Hagës
Më shumë tensione e përplasje po zhvillohet seanca në Gjykatën Speciale të Hagës.
Komandanti Ismet Tara në fillim ka pasur një kërkesë. Që Prokuroria e Speciale ta publikojë një dokument, për të cilin ka thënë se ia ka rrezikuar jetën familjes së tij.
“Përgjigjet i kam dhënë 2019, i qëndroj prapa. Pa u shqyrtuar ky dokument unë nuk flas. Unë do të flas pas shqyrtimit të këtij problemi tim, pasi ka rrezikuar nderin tim kombëtar, dhe familjen time 10-anëtarëshe. Do t’i dëgjoni të gjitha përgjigjet, pas shqyrtimit të këtij problemi”, ka thënë dëshmitari Tara në Hagë, raporton “Nacionale”.
Ai i ka quajtur hetuesit kriminelë, ata të cilët e kanë intervistuar në vitin 2019.
“E kam bërë se unë jam në gjendje të përgjigjem në çdo pyetje, por hapjes së këtij dokumenti. Se çka kanë bërë ish-hetuesit e mi, që unë i quaj kriminelë hetues. Më kanë shpallur tradhtarë të kombit me një dokument që nuk e kam lexuar, nënshkruar dhe kurrë nuk është më paraqitur”.
“Unë nuk flas më, mos bëni pyetje. Dua dokumentin që të bëhet i ditur për popullin tim se çka po punohet në këtë gjykatë”, ka thënë dëshmitari Tara.
Pasi një dokument është publikuar, Tara ka thënë se është mashtruar dhe nuk është lojë.
“Ma keni ndërruar dokumentin, nuk është ai që kam lexuar. Dokumenti është nënshkruar prej intervistuesve të mi, pa dijeninë time, pa më njoftuar. Nuk i besoj kësaj gjykate. Këtë dokument keni provuar ta ndryshoni. Nuk i besoj asgjë më kësaj gjykate, nuk flas asgjë. Më kanë paraqitur si tradhtarë të Kosovës, ky është dokument që kurrë nuk ma keni paraqitur. Nuk ma keni dhënë as numrin, dhe kam dyshuar se ky dokument është humbur, nëse nuk paraqitet para meje. Nuk jam këtu lojë, kam bërë luftë çlirimtare për popullin tim. Nuk kam lojë, nuk i frikësohem askujt”, ka thënë dëshmitari Tara.
Gjyqtari e ka paralajmëruar edhe për masa të tjera.
“Nëse ti refuzon, ka procedura të tjera, dhe kështu të pranohet edhe ai dokumenti. Është në favorin tuaj, të vazhdojmë me pyetjet dhe ta diskutojmë dokumentin për të cilin keni shqetësime. Nëse ti refuzon të përgjigjesh, atë dokument do ta pranojë trupi gjykues pa komentuar ti”, ka thënë gjyqtari Smith.