Thaçi përfundon intervistimin: Unë nuk kam bërë asnjë krim, lufta jonë ka qenë e drejtë

16 korrik 2020 | 21:51

Pas katër ditësh, ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Edhe të enjten, ai u intervistua rreth shtatë orë.

Pas intervistimit të sotëm, Thaçi ka folur për medie.

“Sapo përfundova dëshminë në Dhomat e Specializuara. Më vjen mirë që për katër ditë me radhë kisha mundësinë të japë sqarimet e mia për aktivitetin tim gjatë luftës, dhe përpjekjet e mija për paqe, stabilitet, zhvillim dhe progres”.

“Jam munduar të sqaroj informacione për rolin tim gjatë luftës, gjatë periudhës që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Kam qenë i shoqëruar nga ambasadori Prosper në cilësinë e avokatit. Dëshmia ime ka zgjatur shumë por konsideroj se kemi pasur seanca produktive”, është shprehur Thaçi para mediave,

“Tani i mbetet prokurorit dhe gjyqtarit ta gjykojë dëshminë time. Unë besoj se do të gjykohem drejt dhe paanashëm në atë çka kam dëshmuar. Unë nuk kam bërë asnjë llojë krimi, lufta jonë ka qenë e drejtë. Historinë tonë nuk mund ta ndryshojë askush”, ka thënë Thaçi.

Në pyetjen e gazetarit se është pyetur nga prokurori lidhur me pretendimet e Dick Martit për “Shtëpinë e Verdhë”, Thaçi tha se nuk është pyetur.

“Unë sonte nuk kam të drejtën të flas për asnjë informacion lidhur me dëshminë time tash e katër ditë. Mirëpo lidhur me pyetjen tuaj mund të konfirmoj se nuk jam pyetur për pretendimet e Dick Martit në asnjë rast”, ka thënë Thaçi.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
(Lidhur me librin « Gjenocidi serb në Moravë të Epërme 1968-1999 »…