UNESCO merr nën mbrojtje xhubletën shqiptare
Xhubleta shqiptare, veshja 4 mijë vjeçare, është marrë nën mbrojtje Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti. Ajo tha se Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në mbledhjen që u mbajt në Rabat të Marokut, ka vendosur që të pranojë dosjen e dijebërjes artizanale të xhubletës, duke e pranuar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s, dhe duke e bërë atë pasuri të gjithë njerëzimit.
“Xhubleta është një thesar që në vrullin e kohës po rrezikonte të humbiste, por ne nuk duhet të lejojmë që xhubleta të mbetet thjeshtë një relikt e së shkuarës, por do të ketë mbështetjen e institucioneve tona, po edhe atyre ndërkombëtare si vlerë e të gjithë njerëzimit”, tha Margariti duke e cilësuar këtë vendim si “lajm të jashtëzakonshëm”.
Dosja për të shpallur xhubletën pasuri të trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e UNESCO-s u dorëzua pranverën e vitit që shkoi. Pjesë e listës së pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO janë edhe Butrinti, Berati, Gjirokastra si dhe iso-polifonia.
Fundi i xhubletës ka formën e kambanës, ndërsa pjesë të tjera të saj janë kraholi, kërdhokla, brezi, jeleku, stolitë prej sermi, ndërsa është e qëndisur me mjaft mjeshtëri me fije të arta, temina dhe me rruaza. Shqiponja është simboli kryesor në xhubletë, por ka edhe simbole të tjera si dielli apo gjysmëhëna. Ajo është përdorur kryesisht në Malësinë e Shkodrës deri në Gurëz të Milotit, por edhe te një pjesë e shqiptarëve në Malin e Zi, që banonin rreth Bjeshkëve të Nemuna, në Rugovë të Kosovës etj.
Xhubleta është një veshje 4 mijë vjeçare dhe pranimi i saj si pasuri nga UNESCO do të ndihmojë për ta ruajtur mjeshtërinë e krijimit të saj brez pas brezi.