UNHCR: Migrantët kurrsesi nuk duhet të kthehen në Libi
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga rojet e Libisë që të pranojnë anijet me refugjatë, të kthyera nga deti. Por UNHCR ka paralajmëruar se pikërisht kjo nuk duhet të ndodhë kurrsesi.
Komisariati i OKB për Refugjatë ka kërkuar me ngulm nga Bashkimi Evropian që të ndalojë kthimin e refugjatëve nga Deti Mesdhe në Libi, me shpjegimin, se situata e tyre në këtë vend është tepër e rëndë. UNHCR mendon se duhet parandaluar me të gjitha mjetet që refugjatët të kthehen në Libi, në kampet e atjeshme. “Njerëzit që shpëtohen në Detin Mesdhe nga rojet bregdetare, nuk duhet të kthehen kurrsesi në Libi”, tha drejtori i UNHCR në Gjermani, Dominik Bartsch, për gazetën “Welt am Sonntag”, duke shtuar se duhen ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për të parandaluar një gjë të tillë, me qëllim që të evitohen vuajtjen e njerëzve në këto qendra në Libi.
Gjendja e refugjatëve dhe migrantëve në Libi, sipas tij, është keqësuar edhe më shumë kohët e fundit. “Gjendja humanitare dhe situata e njerëzve në kampet e Libisë është e mjerueshme. Nuk ka ushqime dhe ujë, ndërkohë që shumë prej tyre kanë nevojë urgjente për ndihma mjekësore. Këtu duhet shtuar edhe fakti që në kryeqytetin Tripoli ka dhe shumë grupe të rrezikshme të armatosura”, ka deklaruar Bartsch./dw/