UNICEF-i dhe Ambasada Britanike furnizojnë 1 020 shkolla me pako higjienike

17 dhjetor 2020 | 15:20

UNICEF-i dhe Ambasada Britanike kanë lansuar një nismë të përbashkët, ku shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin dhe ambasadori i Ambasadës Britanike në Kosovë, Nicholas Abbott kanë vizituar shkollën fillore “Daut Bogujevci” në Komunën e Fushë-Kosovës dhe kanë shpërndarë 27 pako higjienike për 16 shkolla dhe 30 pako mbrojtëse për mësimdhënësit

UNICEF-i në partneritet me Ambasadën Britanike kanë shtuar përpjekjet për t’i përkrahur shkollat me pako higjienike dhe pako për mësimdhënës për të parandaluar përhapjen e infektimeve mes popullsisë së përgjithshme dhe sidomos në shkolla.

UNICEF-i dhe Ambasada Britanike po reagojnë ndaj nevojave duke shpërndarë më shumë se një mijë pako që përfshijnë maska, sanitarizues të duarve dhe mjete të tjera të nevojshme mbrojtëse për fëmijët dhe mësimdhënësit.

Ndihma ka për qëllim t’i përkrahë edhe familjet sa më shumë që është e mundur për t’iu ofruar kushte për mbrojtjen e fëmijëve të tyre përgjatë tërë procesit esencial të arsimimit.

Në Kosovë, njëra nga sfidat më të mëdha në sigurimin e procesit mësimor për të gjithë fëmijët ka vazhduar të mbetet varfëria gjatë periudhës së pandemisë, e cila vazhdon të mbetet dukshëm e lartë në Kosovë.

Raporti i analizës së situatës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë, i publikuar në shkurt 2020 nga UNICEF-i, tregon se përqindja e varfërisë tek fëmijët është 23 për qind, ndërsa 7 për qind e tyre jetojnë në varfëri ekstreme. Sigurimi i pajisjeve të shkollës dhe i pajisjeve mbrojtëse nga Covid-19 është një sfidë shtesë për këta fëmijë.

Kontributi për shkollat me mbështetjen e Ambasadës Britanike përfshin 1 551 pako higjienike për 1 020 shkolla dhe 1 770 pako mbrojtëse për mësimdhënësit e 29 shkollave në tërë Kosovën, duke përfshirë komunat e banuara nga serbët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë…