UNICEF-i dhe Devolli Corporation bashkojnë forcat për fëmijët dhe të rinjtë
UNICEF-i dhe Devolli Corporation, si ndërmarrje lidere e biznesit, lansuan një partneritet të ri për të rritur shërbimet dhe mundësitë për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.
Devolli Corporation, me ndihmën e UNICEF-it do të zgjerojë mundësitë për fëmijët e vegjël në komunitetet e margjinalizuara dhe zonat rurale dukë mbështetur ngritjen dhe funksionimin e Qendrave të Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme me bazë në komunitet, të cilët ofrojnë mësim të bazuar në lojë dhe përvojë për fëmijët nën 5-vjeçë, si dhe shërbime për prindërit e tyre.
Marrëveshja u nënshkrua në Magurë të Lipjanit, në mes të pronarit Shkëlqim Devolli dhe Nona Zicherman, shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Këto aktivitete do të mbështesin ofrimin e programeve cilësore të mësimit të hershëm për 700 fëmijë, si dhe do të mbështesin angazhimin dhe zhvillimin e aftësive të 400 prindërve. Partneriteti gjithashtu do t’i ndihmojë të rinjtë të bëjnë kalime të suksesshme nga shkolla në punë duke ofruar praktikë, mentorim dhe mundësi trajnimi për 500 të rinj përmes platformës “Kosovo Generation Unlimited”.
“Në Kosovë ne gjithmonë jemi krenuar se fëmijët tonë janë e ardhmja dhe kjo nuk është vetëm një frazë e bukur. Ne jemi shteti më i ri në Evropë, por edhe me popullatën më të re në Evropë. E kemi obligim që shtetin tonë të ri ta rrisim me rininë tonë. Për këtë arsye ne në Devolli Corporation kemi vendosur të angazhohemi direkt dhe fuqishëm në këtë partneritet fisnik me UNICEF-in për t’i ndihmuar fëmijët tanë me diçka që është shumë konkrete dhe që do të ndikojë pozitivisht në formimin cilësor të tyre, në mënyrë që kjo shoqëri e jona të zhvillohet e shëndoshë dhe shteti ynë të përparojë”, është shprehur Shkëlqim Devolli, themelues i Devolli Corporation.
Ndërkaq, Shefja e Zyrës për UNICEF-in në Kosovë, Nona Zicherman tha se janë mirënjohës për kontributin e Devolli Corporation për të drejtat e fëmijëve në Kosovë.
“Ne jemi mirënjohës për këtë kontribut dhe për angazhimin e Devolli Corporation për agjendën e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Bashkëkrijimi dhe bashkëpunimi me një gamë të gjerë partnerësh është në qendër të punës së UNICEF-it këtu në Kosovë dhe globalisht. Ky partneritet është një shembull se si ne mund të shfrytëzojmë inovacionet, ndikimin, asetet dhe rrjetet e sektorit privat për ta bërë ndryshimin për fëmijët dhe të rinjtë dhe për të përshpejtuar përparimin drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”, tha Zicherman.
UNICEF-i tha se po e vazhdon punën e tij me institucionet e Kosovës dhe me një gamë të gjerë të shoqërisë civile dhe partnerëve të sektorit privat dhe publik për të promovuar realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, me fokus të veçantë në shëndetin dhe edukimin e fëmijëve të vegjël, fuqizimin dhe zhvillimin e aftësive për adoleshentët dhe rininë dhe mbrojtjen dhe përfshirjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të rrezikuar përgjatë ciklit jetësor .