UNICEF: Numri i emigrantëve të vdekur në Mesdhe është trefishuar që nga viti i kaluar
Tre herë më shumë emigrantë vdiqën ose u zhdukën këtë verë në përpjekje për të kaluar Mesdheun sesa në vitin 2022, tha sot UNICEF. Nga qershori deri në gusht të paktën 990 njerëz u mbytën në Mesdheun qendror, rruga më e rrezikshme e migrimit në botë që lidh Afrikën e Veriut me Evropën.
Ky numër është tre herë më shumë se 334 emigrantë që vdiqën në të njëjtën periudhë të vitit 2022, sipas raportit të agjencisë së OKB-së. Megjithëse numri i përgjithshëm i fëmijëve që vdiqën në Mesdhe nuk është i saktë, UNICEF regjistroi rreth 12 fëmijë çdo javë në korrik, 11,600 “të mitur të pashoqëruar” u përpoqën të arrinin në Itali nga janari deri në mesin e shtatorit 2023 me anije, pra 60 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar (7200).
“Mesdheu është kthyer në një varrezë për fëmijët dhe të ardhmen e tyre. Numri tragjik i vdekjeve të fëmijëve që kërkojnë azil dhe siguri në Evropë është rezultat i zgjedhjeve politike dhe një sistemi joadekuat të imigracionit”, tha Regina De Dominicis, drejtuese e UNICEF-it për këtë çështje.
Në total, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) njoftoi gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit kushtuar krizës në Mesdhe, se 2500 emigrantë kanë humbur jetën ose janë zhdukur nga 1 janari deri më 24 shtator 2023, një rritje prej 50 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Me 8,500 njerëz mbërritën në tre ditë në ishull, një numër më i madh se popullsia e Lampedusa.
Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e udhëhequr nga një koalicion i krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë, miratoi të mërkurën mbrëma një projekt-dekret që hap rrugën për të miturit e pashoqëruar mbi 16 vjeç për t’u strehuar në ambiente të rriturish.
Njëkohësisht, parashikon kryerjen e kontrolleve mjekësore për përcaktimin e moshës së të miturve.
Drafti, i cili nuk është miratuar nga parlamenti ku koalicioni qeverisës ka shumicën absolute, parashikon paraqitjen e të miturve të pashoqëruar në radiografi për të përcaktuar moshën e tyre.