UNICEF: Shkollat ​​duhet të mbyllen të fundit dhe të hapen të parat

06 nëntor 2020 | 13:00

Agjencia për të drejtat e fëmijëve e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, bëri thirrje që para çdo vendimi për mbyllje të shkollave për shkak të pandemisë, të merret për bazë edhe kostoja e “mbajtjes së nxënësve jashtë shkollave”.

Sipas kësaj organizate, kjo kosto, “është shumë më vështirë për t’u kompensuar se dëmtimi i ekonomisë, dhe mund të zgjasë edhe për një brez të tërë”.

Përmes një komunikate, UNICEF-zyra në Prishtinë, thotë se “derisa Kosova po përballet me një nivel më të lartë të infektimit me COVID- 19 sesa më parë gjatë pandemisë, interesat më të mira të fëmijëve duhet të jenë thelbësore për sa i përket kohës dhe mënyrës se si të mbahen të hapura shkollat”.

“Në fillim të këtij viti, mbyllja e shkollave preku rreth 345,000 fëmijë dhe adoleshentë në Kosovë, dhe mungesa e lojës, shoqërimit dhe ndërveprimit me mësimdhënësit mund të ndikojë shumë në mirëqenien dhe zhvillimin psikosocial të fëmijëve dhe adoleshentëve”, thotë kjo organizatë.  Në Kosovë, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, vetëm 31 shkolla janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht që kur u rihapën në muajin shtator.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha: “Së bashku me partnerët tanë, ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë dhe rrisim mbështetjen tonë për shkollat, në mënyrë që ato të mbyllen të fundit dhe të rihapen të parat”.

UNICEF-i në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka zhvilluar një hulumtim lidhur me rihapjen e shkollave për vitin akademik 2020/2021.

“Shumica e raportuesve (62%) ndiheshin të lumtur për rihapjen e shkollave dhe dëshironin të vazhdonin mësimin brenda shkollës gjatë këtij viti akademik . Më shumë se gjysma e tyre ndiheshin të sigurt se nxënësit janë mjaft të informuar për masat parandaluese rreth COVID-19. Mësimi në distance u konsiderua si jo i kënaqshëm nga 1 në 3 raportues të moshës 15 deri në 19 vjeç”, tha UNICEF. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, tha të enjten se janë regjistruar edhe 661 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

 

Rastet e reja – që përbëjnë shifrën më të lartë të infektimeve brenda një dite në Kosovë që prej fillimit të pandemisë – dolën pas testimit të 1,617 mostrave.

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 22,206. Prej tyre, 720 pacientë kanë vdekur dhe 15,921 janë shëruar.

Ndërkaq, raste aktive janë 5,565./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Speciale ka dhënë detaje për paraqitjen e parë të…