Unifikimi diplomatik Kosovë – Shqipëri po shqetëson edhe Rusinë
Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapat fillestarë drejt unifikimit të misioneve diplomatike e konsullore.
Të dy qeveritë kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët e cila përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik”.
Me këtë marrëveshje, sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përcaktohen prioritetet afatgjata strategjike dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht përcaktohet edhe marrja e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se kjo marrëveshje ka për qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme.
“Synimi është ngritja dhe zhvillimi i mekanizmave të përbashkët të veprimit politik, diplomatik dhe konsullor për t’i dhënë një shtytje angazhimit të ndërsjellë në politikën e jashtme dhe për të fuqizuar rolin e diplomacive tona në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Zyberaj.
Ai ka thënë se me marrëveshjen e nënshkruar përfitimet do të jenë të dyanshme.
“Marrë para sysh faktin se Kosova në vazhdim ka një oponencë të fuqishme në Republikën e Serbisë, e mbështetur nga Rusia dhe vendet tjera mosnjohëse të Kosovës, me anë të kësaj marrëveshjeje kemi bërë hapa konkret që të ndihmojmë njëra-tjetrën në avancimin e pozicionit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Zyberaj.
Sipas zotimit të shprehur nga të dy qeveritë, asaj në Prishtinë dhe asaj në Tiranë, nga pikëpamja diplomatike marrëveshja inicion fillimin e punës teknike për ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim të krijimit të hapësirave për përdorim të përbashkët nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.
Po ashtu marrëveshja parasheh edhe shkëmbimin e personelit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës, anekënd globit. Me marrëveshje parashihet që në Akademitë Diplomatike përkatëse të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët, si dhe pikëpamja e diplomacisë kulturore.
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, në një konferencë të përbashkët për medie me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës të mbajtur më 2 korrik, ka thënë se kjo marrëveshje hap një kapitull krejtësisht të ri të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa, ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe në Australi, Sabri Kiçmari, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se marrëveshjet e tilla janë normale dhe u shërbejnë shteteve përkatëse. Ai tha se ky veprim është normal dhe një nisme e tillë ndihmon në zhvillimin e mëtejme të politikës së jashtme.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/unifikimi-diplomatik-rusia-/30045790.html.