Unifikimi i redaksive në funksion të përmbajtjeve mediale të konvergjuara

28 gusht 2018 | 11:10

Shpresë Mulliqi

Ky shekull është shënuar nga një rritje e shpejtë e mediave të reja, të bazuara në internet, që mundësojnë informimin e konsumatorëve me përmbajtje mediale të formateve të ndryshme në një pajisje të vetme, falë konvergjimit të mediave. Ky punim analizon efektet e konvergjencës mbi mediat, duke e pasur parasysh se ajo është më shumë se (thjesht) një ndryshim teknologjik. Si bazë për vlerësimin e ndikimit të konvergjencës mbi mediat e shkruara, ato elektronike dhe on-line shërben tendenca e zbehjes së kufijve në mes të mediave të ndryshme, por edhe të punës profesionale të gazetarëve dhe rolit tyre brenda mediumeve. Konvergjenca, përveç ndryshimeve në aspektin teknologjik, para së gjithash, përfaqëson një ndryshim profesional dhe kulturor ngaqë konsumatorët inkurajohen të kërkojnë informata të reja dhe t’i bëjnë lidhjet ndërmjet përmbajtjes së shpërndarë mediale në platforma të ndryshme.

Një vend të posaçëm në këtë studim zë pasqyrimi i disa prej formave të konvergjencës të strukturuara në mënyrë analitike: si konvergjimi i redaksive – gazetarëve dhe personelit tjetër, prodhimi i lajmeve të formateve të ndryshme – dhe ndërveprimi i konsumatorëve si rezultat i digjitalizimit. Nga analiza e mediave elektronike, mediave të shkruara dhe atyre on-line ky punim ofron një vështrim mbi konvergjencën e mediave të Kosovës të strukturuar ashtu që mbulon fushat më të ndikuara dhe ato që mbesin për t’u diskutuar.

Unifikimi i redaksive në funksion të përmbajtjeve mediale të konvergjuara

 Ka disa vite që ekspertët flasin për konvergjencë e rrjeteve komunikuese, të përmbajtjes së mediave si dhe të pajisjeve, për të formuar një produkt me avantazhet e të gjitha atyre që deri para pak kohe kanë qenë të ndara në formë dhe shërbim.

Në dekadën e fundit evoluimi dhe shtrirja e rrjetit të internetit në medie (për informim), digjitalizimi i mediave audiovizuale dhe rënia e qarkullimit të mediave të shtypura janë bërë faktorë të cilët i ka cytur studiuesit dhe profesionistët e fushës së medies të mendojnë se konvergjenca mund të jetë sfida e radhës me të cilën duhet të merren ata. Numri i përkufizimeve mbi këtë koncept është i madh, aq sa është edhe numri redaksive të cilat tashmë e kanë eksploruar këtë fushë (Silcock and Keith, 2006). Në literaturë kemi hasur në përpjekjet e studiuesve dhe profesionistëve të ndryshëm që ta definojnë konvergjencën si rrjedhojë të partneritetit të shtuar mes gazetave, mediave audiovizuale dhe medieve on-line, gjë që ka kontribuuar edhe në strukturimin e procesit të raportimit dhe shpërndarjes së lajmeve (Ketterer, S., Weir T., Smethers, J. S., & Back, J., 2004)., gjë të cilën tashmë po e shohim edhe në mediat tona.

Sipas Graham Murdok (2000), konvergjencën e mediave e definojnë nivele të ndryshme të veprimit, sepse konvergjenca prekë, së paku, tri fusha: 1) Teknologjinë e mediave; 2) Format dhe përmbajtjen e mediave; dhe 3) Ekonomitë e mediave. Ndërkohë që shumica e diskutimeve janë fokusuar në ndryshimet teknologjike, respektivisht në të ashtuquajturin revolucion digjital të mediave (Baldwin, Thomas F.; Mc Voy, D. Stevens & Steinfield, Charles, 1999), sipas Henry Jenkins (2006) konvergjenca, përveç ndryshimeve, në aspektin teknologjik dhe atë rregullator, para së gjithash, përfaqëson një ndryshim kulturor ngaqë konsumatorët inkurajohen të kërkojnë informata të reja dhe t’i bëjnë lidhjet ndërmjet përmbajtjes së shpërndarë mediale.

Në këtë kontekst, duhet përmendur se në dhjetë vjetshin e fundit diskutimi mbi konvergjencën e mediave ka zënë vend në diskursin e mediave të Evropës, pavarësisht prej faktit se ajo si nocion është paraqitur, para më shumë se tridhjetë vjetësh, atëherë kur Ithiel de Sola Pool në librin Technologies of Freedom (1983) del me konceptin për një platformë të vetme të integruar të mediave (Mueller, 1999). Sipas Pool (1983), kompanitë që njëherë dhe një kohë kanë publikuar gazeta, revista dhe libra kanë bërë shumë pak në fushat e tjera, apo përfshirja e tyre ka qenë krejtësisht e shpërfillshme (Mueller, 1999). Ndërsa e tëra kjo ka ndryshuar falë zhvillimeve të cilat filluan në vitet  tetëdhjetë kur, sikundër edhe u tha, u shfaq për herë të parë nocioni konvergjencë. Është kjo periudha kur shkrirjet e një mediumi në tjetrin filluan të marrin hov, kur u krijuan korporatat e para mediale të cilat kishin më shumë se një produkt mediatik (Marsden, Christopher T. & Verhulst, Stefaan G, 1999).

Siç ndodh me çdo të re, edhe diskutimet e para mbi konvergjencën kanë ngjallur dilemat mbi ndryshimet e shumta të cilat do t’i pësojë skena mediale, përfshirë edhe ndikimet që do të kenë implikime materiale. Këto diskutime në të cilat janë përfshirë ekspertë të fushës së mediave, teknologjisë, ekonomisë, legjislativit etj., kanë rishqyrtuar ndikimin të cilin do ta ketë konvergjenca e mediave në ekonomitë si dhe politikat mediatike në Bashkimin Evropian, pra në tregun e përbashkët, si nevojë për avancimin e kornizës ligjore në të gjitha shtetet e unionit, por edhe më gjerë, në botë, në veçanti në kompanitë e mëdha mediale (Murdok, 2000). Meqenëse teknologjia moderne digjitale ua mundësoi sektorëve të ndryshëm që të bashkohen (Kent, 2007), konvergjenca, si e tillë, kishte një zhvillim dhe një shtrirje globale. Në këtë mënyrë i nisi dhe po i vazhdon fuqishëm ndryshimet, gati-gati revolucionare në mënyrën e komunikimit mes njerëzve përmes pajisjeve (Mueller, 1999).

Gjithashtu, gjatë hulumtimit tonë ne kemi hasur në debat mes atyre që konvergjencën e shohin thjesht si zhvillim një teknologjik i cili është mundësuar nga pajisjet digjitale, si dhe atyre që thonë se konvergjenca duhet të definohet si një ndryshim rrënjësor për bartjen e mesazhit (Dailey, L., Demo, L. & Spillman, M., 2003). Ndërkohë që problemet kyçe të cilat mbesin për t’u diskutuar janë: mungesa e një përkufizimi të vetëm mbi konvergjencën të bazuar në sjelljen e mediave si dhe mungesa e një instrumenti për matjen e të arriturave të konvergjencës (Dailey dhe të tjerët, 2003), gjë që paraqet një sfidë për studiuesit të cilët, në mungesë të këtyre instrumenteve, e kanë të vështirë të bëjnë studime krahasuese, ndërkohë që as vetë profesionistët nuk mund të marrin vendime të bazuara në rezultate se si mund ta bëjnë më mirë punën e tyre, në rrethanat e krijuara.

Për ta strukturuar punimin tonë, me këtë rast jemi bazuar tek studimet e Dailey dhe të tjerët (2003), të cilët ofrojnë Vazhdimësinë e konvergjencës (Convergence Continuum) si një orientues për ta studiuar konvergjencën në një numër fushash të kërkimit të ndërlidhura me mediat. Këtë përzgjedhje e kemi bërë ngaqë, si e tillë, është tregues i mirë se jo me patjetër duhet t’i përcaktojmë në sasi përpjekjet në fushën e konvergjencës, apo se me patjetër duhet të bazohemi në ndonjë nga teoritë dhe konceptet që informojnë mbi këto pretendime. Përkundrazi, sipas Dailey dhe të tjerëve, ajo jep mundësi për t’i zhvilluar mjetet konceptuale dhe empirike të nevojshme për të kryer studime të këtilla.

Gjithashtu, në konceptimin e punimit ka ndihmuar edhe studimi i Graham Meikle dhe Sherman Young Konvergjenca e mediave: mediat e rrjetëzuara digjitale në jetën e përditshme (2007), sipas të cilit, konvergjenca mund të kundrohet në dimensione të cilat ata i kanë ndarë në katër: teknologjike, industriale, sociale dhe tekstuale (Meikle dhe Young, 2007:67). Me këtë rast, në punimin tonë shumëdimensionalitetin e konvergjencës e kemi kundruar nga disa pikëshikime, gjë që ka bërë të mundur edhe vetë strukturimin e të gjeturave tona. Këtë e kemi arritur gjithnjë duke u bazuar në konceptin e një platforme të vetme të integruar të mediave që kontribuon në strukturimin e procesit të raportimit dhe shpërndarjes së lajmeve (Mueller, 1999; Ketterer, S., Weir T., Smethers, J. S., & Back, J., 2004).

Shih për këtë, shkrirjen, respektivisht zbehjen e ndasive mes mediave në aspektin e profesional, në këtë punim e kemi analizuar nga pikëpamja e redaksive të integruara, konvergjenca dhe ridefinimi i rolit të gazetarëve, që ndërlidhet edhe me shpërndarjen e produktit (lajmit) në shumë platforma, si rezultat i konvergjencës dhe digjitalizimit të mediave. Secili dimension i lartpërmendur i konvergjencës mund të analizohet edhe veç e veç, por nga literatura e konsultuar del se në të shumtën e rasteve studiuesit janë marrë me disa dimensione të një projekti mbi konvergjencën si dhe atë se: nëse ato dimensione janë shkak pasojë e njëra-tjetrës.

Kryekreje, në këtë punim nuk jemi ndaluar në aspektin teknologjik të konvergjencës ngaqë kemi bërë përpjekje t’i shmangemi determinizmit teknologjik dhe kështu, duke mëtuar që t’i ikim thjeshtësimit të analizës duke e kundruar konvergjencën mediale thjesht si një efekt (Dupagne dhe Garrison, 2006), kemi arritur edhe përfundimet tona të synuara.

Si profesionistë nga fusha e mediave nuk mund mos ta themi se konvergjenca nuk është thjesht diçka që ka të bëjë vetëm avancimin e teknologjisë. Ajo, para së gjithash, paraqet një ndryshim rrënjësor në marrëdhënien në mes të prodhuesit të përmbajtjes (mediave) dhe konsumuesve të përmbajtjes (lexuesve, dëgjuesve dhe shikuesve) e që, njëkohësisht, ka edhe implikime ekonomike, sociale dhe politike (Mueller, 1999) tek vetë mediat, por edhe shoqëria. Konvergjenca e mediave ia mundëson audiencës të bashkëveprojë me prodhuesin e informatës si dhe ta prodhojë vetë përmbajtjen për t’u përdorur nga mediat në masë (Dahlgren, Peter, 1992). Ndaj ky punim mbulon parametrat relevantë që ndihmojnë për ta analizuar secilin dimension duke ofruar rezultate preliminare të cilat bazohen në studimin e gjashtë mediave të Kosovës (Radio Televizioni i Kosovës – Radio dhe disa kanale televizive dhe uebfaqja, të Radio Televizionit 21 dhe uebfaqja, të grupit medial Koha – Koha ditore dhe Kohavizioni dhe uebfaqja, të grupit medial Dukagjini – Radio dhe Televizioni Dukagjini dhe uebfaqja, të Klan Kosovës TV dhe uebfaqja si dhe të Agjencisë së Lajmeve Kosovapress – dhe uebfaqja) të cilat na dhanë mundësi t’i analizojmë dimensionet e lartpërmendura, të cilat janë në faza të ndryshme të konvergjencës.

Të dhënat me këtë rast janë mbledhur duke i përdorur informatat të cilat janë të prezantuara në uebfaqen e mediave në fjalë dhe udhëheqësit e mediave aty ku kishte nevojë për sqarime shtesë. Rezultatet e prezantuara janë të parat të këtij lloji e që japin sadopak një pasqyrë mbi konvergjencën mediale në Kosovë dhe mund të shërbejnë si bazë për studime në të ardhmen.

Redaksitë e integruara

 Një nga parametrat themelor të cilin e kemi vendosur për ta analizuar këtë dimension të konvergjencës është shkalla e integrimit dhe lloji i redaksive të përfshira. Njëqind për qind e kompanive të analizuara kanë zhvilluar një lloj të konvergjencës së redaksive. Integrim të redaksive multimediale kanë katër kompani mediale nga gjashtë të analizuara, e që do të thotë gjithsejtë 66.6 për qind të tyre. Ndërsa koordinim të redaksive të ndara kanë vetëm dy kompani mediale, e që do të thotë 33.3 për qind të tyre.

Dy nga kompanitë mediale që kishin një lloj të integrimit janë në nivel qendror, ku njëra është kompani mediale publike, tjetra kompani mediale private. Ndërsa nga analiza e bërë del se mediumi publik ka redaksi të ndara për të gjitha produktet e veta, edhe pse që të gjitha kontribuonin ose janë pjesë e uebfaqes përmes vjegëzave të krijuara tashmë. Nga analiza e kompanisë private mediale, produkt të së cilës janë një gazetë dhe një televizion, del se ajo ka redaksi të ndara si dhe uebfaqe të ndara. Ajo që vërehet këtu është se konvergjenca na shfaqet në formë të klonimit (Dailey dhe të tjerët, 2003), ku uebfaqja e njërit produkt medial publikon përmbajtjen e produktit tjetër, dhe televizioni bën promovimin e produkteve të gazetës.

Kompanitë e tjera, katër nga gjashtë të analizuarat, kanë redaksi të integruara. Kompanitë janë private dhe janë të vendosura në nivel lokal dhe qendror, e që lë të kuptohet se pronësia dhe vendndodhja nuk janë faktorë determinues për konvergjencën e përmbajtjes. Madje mund të thuhet se kjo më parë ka të bëjë me numrin e punëtorëve dhe përdorimin e tyre në disa njësi sesa më efikasitetin në punë për ta shtuar produktivitetin e kompanisë. Vlen për ta theksuar se në të gjitha këto mediume është vërejtur edhe një tendencë e ndërpromovimit (Dailey dhe të tjerët, 2003). Ndërsa e përbashkët e të gjitha këtyre mediave, kur bëhet fjalë për redaksitë e integruara, është ajo se përmbajtja e të gjitha produkteve mediale (si: audio, video dhe teksti i shkruar) është e shpërndarë nëpër platforma të shumëfishta të mediave (Meikle dhe Young, 2007:67).

Bashkëpunimi i redaksive është një praktikë të cilën e kemi vërejtur në të gjitha mediumet si në nivel kombëtar, po ashtu edhe në nivel vendor. Në disa nga kompanitë mediale, stafi i radios dhe televizionit, ta themi, i këmbejnë storiet e tyre dhe materialin audio-vizual, por ka edhe raste ku disa prej gazetarëve e përgatisin materialin për radio dhe televizion në të njëjtën kohë. Ky bashkëpunim ndonjëherë ndërlidhet me gazetarët dhe jo me redaksitë, sado që në disa raste bëhet fjalë për të njëjtën redaksi që i mbulon të gjitha platformat: si radion ashtu edhe televizionin.

Redaksitë e integruara e prodhojnë lajmin dhe punojnë në tre ndërrime për t’i plasuar ato. Redaktorët janë ata që vendosin se cili produkt shkon në cilën platformë; nëse do të plasohet on-line apo do të botohet. Dhe gati se gjithnjë kur kanë ndonjë histori që tërheq vëmendjen e lexuesit e praktikojnë botimin e shkrimit në gazetë, ndërkohë që në uebfaqe nxjerrin vetëm kryetitujt dhe disa paragrafë sa për ta ngjallur kureshtjen e lexuesve.

Ajo që është më se evidente te kjo mënyrë e të punuarit, respektivisht tek kjo shkrirje e pjesshme apo e tërësishme e redaksive dhe gazetarëve, ka ndikuar te këta të dytët, pra gazetarët, që të evoluojnë në profesion si dhe të mendojnë për produktin e tyre edhe si gazetarë të mediave të shkruara, njëkohësisht edhe si gazetarë të mediave elektronike, një ndasi kjo e cila është vërejtur tek Radio Televizioni i Kosovës.

Konvergjenca dhe ridefinimi i rolit të gazetarëve

Konvergjenca e mediave mund të analizohet edhe nga këndvështrimi i ridefinimit të roleve profesionale dhe shkathtësive të gazetarëve, redaktorëve dhe të stafit përcjellës. Me konvergjencën janë krijuar një numër i gazetarëve që mund të prodhojnë lajme/informata për të gjitha platformat. Ata janë zhvilluar ashtu që produktin e tyre mund t’ia përshtatin cilitdo medium pa humbur në kualitet. Sipas studiuesve, kjo mënyrë e operimit iu leverdisë kompanive mediale sepse ul numrin e punëtorëve (Saltzis & Dickinson, 2003).

Mirëpo ajo që kemi vërejtur gjatë analizës së punës së mediave, pjesë të këtij punimi, është se këta gazetarë jo vetëm prodhojnë lajme/informata për platforma të ndryshme. Ata, për më tepër, kanë shkathtësi për të përcjellë edhe tema të ndryshme, njëkohësisht ta bëjnë edhe pjesën e paketimit të lajmit/informatës (thyerjen teknike/montazhin), pra janë të aftë ta marrin përsipër edhe punën e post-produksionit (Gunnar, 2014). Në mediat e analizuara, sipas stafit menaxhues, janë tre tipa gazetarësh;

  • Gazetarë (ekspertë) që e mbulojnë vetëm një fushë ndërkohë që materialin e tyre e përpunojnë dhe e plasojnë në platforma të ndryshme të tjera (kryesisht redaktorët apo edhe kolegët më të rinj). Këta janë kryesisht gazetarë të gjeneratave të cilat nuk ia dalin të operojnë me teknologjinë e re multimediale;
  • Gazetarë (ekspertë) që e mbulojnë vetëm një fushë dhe që e bëjnë thyerjen/editimin e materialit dhe përgatitjen për platforma të ndryshme. Këta janë kryesisht gazetarë të gjeneratave të cilat ia dalin të operojnë me teknologjinë e re multimediale;
  • Gazetarë që mbulojnë disa fushë dhe që e bëjnë thyerjen/xhirimin/editimin e materialit, e që jo me patjetër janë të thellë në punën e tyre, por që kanë njohuri dhe shkathtësi të cilat i bëjnë të pazëvendësueshëm sepse i realizojnë punët edhe të disa punëtorëve (profesionistëve) të tjerë.

Gjatë analizës së punës së mediave kemi ardhur në përfundim se gazetarët kanë përgjegjësi shumë më të mëdha sesa kolegët e tyre në redaksitë e ndara. Por, ajo që kemi vënë re është edhe se, performanca e tyre është më e dobët dhe jo gjithaq e thellë, sidomos kur kanë të bëjnë me temat që kërkojnë përvojë dhe ekspertizë.

Të tre tipat e këtyre gazetarëve i kemi identifikuar në të gjitha mediumet që kemi analizuar për këtë punim. Ndërkohë që, tipi i parë syresh mbizotëron në mediumin publik, ku edhe janë të ndara përgjegjësitë e redaksive dhe të stafit të post-produksionit. Mirëpo ajo që është e përbashkët e të gjithë këtyre gazetarëve, është se puna e tyre dritën jeshile për publikim e merr nga kryeredaktori i cili e verifikon çdo punim para se i njëjti të publikohet në cilëndo platformë. Ndërsa, po ashtu, e përbashkët e të gjitha kompanive mediale është se asnjëra prej tyre nuk ka organizuar trajnime të veçanta për gazetarë me shumë shkathtësi. Ata këto shkathtësi i kanë fituar gjatë punës apo i kanë fituar jashtë mediumit.

Shpërndarja e produktit (lajmit) në shumë platforma

Shpërndarja e përmbajtjes mediale në shumë platforma është pjesa që më së shumti përflitet dhe e cila i atribuohet konvergjencës. Është pjesa që në të vërtetë konvergjencën e definon si një ndryshim rrënjësor në bartjen e mesazhit (Dailey, L., Demo, L. & Spillman, M., 2003). Nga këndvështrimi i konsumatorëve, konvergjenca nënkupton produkte të ndryshme mediale që shpesh janë të lidhura me njëra-tjetrën jo vetëm në të shkruar, por edhe në prodhim, shpërndarje dhe marketing dhe, falë konvergjencës dhe digjitalizimit, produktet e njëjta qarkullohen në forma të ndryshme të mediave (Marsden and Verhulst, 1999). Në fakt, mund të thuhet se është digjitalizimi ai që ka mundësuar shpërndarjen në shumë platforma, me qëllim që informata të arrijë te konsumatori pikërisht duke e përdorur punën e vetëm një gazetari, për ta mbuluar kështu një çështje të cilën më pas i njëjti do ta paketojë në formate të ndryshme.

Sipas përfaqësuesve të mediave kjo shpërndarje në shumë platforma, faktikisht krijon mundësi që ato të jenë sa më të pranishme në opinionin publik dhe kështu, në këtë mënyrë, ta bëjnë tërheqjen e një numri sa më të madh të konsumatorëve të cilët do të kenë qasje në produktet e një mediumi në çdo kohë dhe në çdo vend.

Andaj dhe shpërndarja në shumë platforma e informatave gazetareske, është lloji i konvergjencës më dominues në mediat e analizuara nga ne. Ndërsa mund të konstatohet edhe se, që të gjitha këto mediume kanë përmbajtje multimediale që ofrohet përmes platformave të ndryshme mediatike me të cilat operohet sot në treg.

Nuk do mend se mbizotëruese janë uebfaqet të cilat përditësohen 24 orë, pastaj janë aplikacionet të cilat ofrohen për të gjitha pajisjet mobile, por edhe platformat e ndryshme të rrjetëzimeve sociale shumë të përhapura gjithandej. Radio dhe TV programet janë të pranishme në platforma live (transmetim në kohë reale) dhe on-demand (transmetim me kërkesë të konsumatorit) dhe e gjithë kjo mundësohet falë internetit dhe teknologjisë së re, por edhe angazhimit të kompanive mediale të cilat po tregohen gjithnjë e më kreative në krijimin e ofertave të reja për konsumatorët e interesuar.

 Përmbledhje

 Analiza e ofruar përmes kundrimit të shumëdimensionalitetit të konvergjencës përmes analizës së disa fushave, e që janë prezantuar në këtë punim, mundëson një qasje gjithëpërfshirëse mbi zhvillimet në mediat e Kosovës. Ky model analitik mund të përdoret edhe në vendet e tjera si dhe për t’i analizuar zhvillimet e mëvonshme. Natyrisht të gjeturat tona kanë të bëjnë vetëm me mediat e analizuara dhe nuk mund të themi se janë përfaqësuese për të gjitha mediat e Kosovës (duke e pasur parasysh se numri më i madh i mediave elektronike është në nivel lokal, ndërsa mundësitë e tyre për të ecur në hap me zhvillimet e teknologjisë multimediale janë më të vogla për shkak të pengesave financiare).

Meqenëse kjo analizë është e para e këtij lloji, besojmë se duhet t’i bëjmë disa konkludime.

Disa kompani mediale i kanë përfshirë të gjitha dimensionet e konvergjencës të cilat u analizuan në këtë punim. Sipas të gjeturave tona, del se që të gjitha janë ende në fillimet e tyre për sa i përket konvergjencës që të mund të themi se ofrojnë ndonjë vlerë e cila duhet të replikohet nga kompanitë e tjera mediale.

Ndërsa kur bëhet fjalë për redaksitë e integruara, bashkëpunimi mes redaksive të pavarura duket si qasja më e shpeshtë, për çka, përgatitja e lajmeve/informatave nga një person duket se përfaqëson gazetarin me shumë shkathtësi. Gazetari me shumë shkathtësi duket se është i vetmi dimension i cili mund të replikohet edhe në mediat e tjera sepse nga analiza del se gazetarët janë të aftë të krijojnë produkte për të gjitha platformat dhe se dallimet mes gazetarit të shtypit dhe atij të radios dhe televizionit janë shumë më të vogla sesa është menduar.

Duke e pasur parasysh se të gjitha dimensionet e konvergjencës ishin shumë më të pranishme në mediat private, këtu del se shtysë për të gjitha këto procese është komponenti financiar: me pak punëtorë të cilët janë shumë produktivë në nivel të kompanisë. Paçka se, një analizë më e thellë do të na jepte një pasqyrë më të qartë mbi atë se cilat janë pasojat për kualitetin e lajmit/informatës si dhe cili është opinioni i gazetarëve për sa i përket angazhimit të tyre në të gjitha fushat pa ndonjë ekspertizë të thellë.

Me këtë rast, hulumtimi ynë, edhe pse empirik, shpërfaqë ndërlidhjen e koncepteve teorike me praktikat e vërteta: të gjitha mediat e analizuara i kanë të zhvilluar disa nga dimensionet e përzgjedhura të konvergjencës. Faktorë për përqafimin e këtyre dimensioneve nuk ishin as pronësia dhe as faktori i shtrirjes. Ndërsa rregullimi i sektorit të mediave të konvergjuara kërkon edhe rregullimin e shërbimeve të tjera gjë që identifikon një paradigmë të re të konkurrencës në shërbimet e komunikimit (Marsden, Christopher T. & Verhulst, Stefaan G, 1999)

Në mënyrë që të shpjegohen dinamikat e këtij zhvillimi nevojiten hulumtime të mëtejme. Këto hulumtime do të mund t’i pasqyronin edhe ndikimet e konvergjencës në nivelin mikro dhe makro ekonomik.

 (Fusnotat i ka hequr redaksia e gazetës “Epoka e re”. Shkrimin, me fusnota, e gjeni në numrin e dytë të revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Duket e pabesueshme, por ndihem shumë më mirë se para…