
Unifikimi i shqiptarëve në Luginë, ndër hapat më të rëndësishëm politik
Gjatë qëndrimit të tij në Luginë të Preshevës, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj–Stublla, pas një vale takimesh me përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve, kanë ndaluar në Bujanoc ku janë pritur nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, deputetët e zgjedhur nga “Lista e përbashkët” Alternativa Demokratike Shqiptare në Luginë si dhe fituesin e zgjedhjeve lokale në Komunën e Bujanocit, Nagip Arifi.
Ministri Selimi ka vlerësuar lartë aktivitetet e Këshillit Kombëtar dhe është shprehu i kënaqur me rolin unifikues të tij.
Ai poashtu ka përshëndetur veprimin e deputetëve për listën e përbashkët si dhe ka uruar fituesin e zgjedhjeve lokale në Bujanoc, Nagip Arifi.
“Ne Bujanoc takuam k e Këshillit Kombëtar, z. Mustafa ku diskutuam për unitetin që ka krijuar ky Këshill dhe mundësinë se si të tërhiqet paralelja e këtij bashkimi në këshillin e koalicionit fitues. Ky koalicion tashmë duhet të bëhet dhe ne duhet që të bëjmë sakrifica të vogla për ideale të mëdha. Këshilli Kombëtar është shembull i mirë se si të gjitha partitë ulen bashkë pranë një kauze, me një kauzë të vetme dhe kjo është për t’u përshëndetur” tha Selimi.
Ministri Selimi të enjten ka takuar edhe kryetaren e degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, Ardita Sinani me të cilën ka diskutuar për situatën e përgjithshme politike në vend si dhe gjendjen e shqiptarëve në Luginë.
Ministri Selimi ka bërë thirrje që të angazhohen bashkërisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve, krijimin e kushteve më të mira për punë, shkollim dhe zhvillim të bizneseve me qëllim që Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të jenë vende ku secili qytetar do të dëshironte të jetonte dhe të zhvillonte potencialin e tij.
Këto takime u vlerësuan shumë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.