Uniforma e UÇK-së e ka përfunduar misionin e vet me çlirimin e Kosovës (42)

02 shtator 2020 | 11:04

Shkruan: Kudusi LAMA

Për pikat e raportit në fjalë, prej 134 e deri në pikën 166, nuk marrë përgjegjësi për të bërë komente, pasi i përket një terreni që është jashtë zonës time të përgjegjësisë dhe i përket kohës pas përfundimit të luftës çlirimtare të Kosovës. Por në këtë pjesë të raportit më tërheq vëmendjen fakti që ju zotëri Marty për çdo veprim që kryhet futni inicialet UÇK-së dhe flisni për luftëtarë dhe simpatizantë të UÇK-së, duke ia veshur aktet e kriminalitetit uniformës së UÇK-së.

Unë kam arsyetuar dhe do të arsyetoj, për këto çështje, duke dhënë mendimin tim edhe për këtë periudhë, por realisht ju nuk keni pse i vishni kriminelët me uniformën e UÇK-së edhe nëse këto krime do të jenë të vërteta dhe kriminelët do të kenë vepruar. Uniforma e UÇK-së e ka përfunduar misionin e vet me çlirimin e Kosovës. Nëse dikush mund të ketë qenë kriminel para kësaj lufte apo të jetë bërë kriminel pas saj, nuk keni asnjë të drejtë që të kriminalizoni gjithë atë uniformë të lavdisë shqiptare. Prandaj, ju duhet ta ndani luftën nga paslufta. Ishte fati i luftëtarëve që nuk u vranë të gjithë në frontet e luftës. Nuk keni asnjë të drejtë t’i përgojoni ata. Përgjegjësi e krimit pas lufte nëse ka ekzistuar apo ekziston nuk ka uniformën e ushtrisë së lirisë, por të ushtrisë së robërisë, e ajo zotëri nuk është uniforma e UÇK-së. Megjithatë unë ju mirëkuptoj, sepse në shpirtin dhe zemrën tuaj ka aq urrejtje ndaj shqiptarëve sa, po të kishit mundësi, çdo shqiptar do ta etiketonit kriminel dhe do ta kërkonit dënimin kapital për të. Por, ja që nuk keni mundësi e prandaj edhe villni vrer pa ndërprerë, duke goditur pikërisht në pikën më delikate shqiptare, në simbolin e krenarisë kombëtare, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Më poshtë, siç duket, ju e ndieni dështimin zotëri Marty dhe dështimi duket në pikën 171, ku ju thoni: “… me sa duket, autorët e këtyre akteve do të parapëlqenin të dilnin para drejtësisë për rolin që mendohet se kanë luajtur përkatësisht në administrimin e kampeve të burgimit dhe në trafikimin e organeve njerëzore, sesa të kompromentonin ish komandantët e lartë të UÇK-së nën urdhrat e të cilëve ata do kenë vepruar dhe që sot janë bërë drejtues politikë e ekonomikë”. Keni deklaruar një rrugëdalje prej dështimit. Në qoftë se nuk del gjë – thoni ju në nënkuptim – nuk e kam fajin unë që kam shpifur, por e kanë shqiptarët që më mirë pranojnë të bëjnë burgje vetë se sa të shpifin e të ngarkojnë të tjerët siç po bëj unë për interesat e serbëve. Kështu zotëri Marty? Prapë shqiptarët ua kanë fajin? Sa keqe për ju zotëri, që në fund tregoni vetë pasaktësinë e asaj që keni shkruar më lartë.

Po zotëri, shqiptarët nuk janë shpifës të ndyrë, por njerëz vital, që nuk mashtrohen nga shpërblimet tuaja. Ata ndoshta edhe mund të bëjnë burgje, por të jeni i sigurt, për periudhën e Luftës Çlirimtare të Kosovës, nëse luftëtarët do të bëjnë burgje, i vetmi fajtor jeni ju, që keni shpifur për ta dhe që tani kërkoni që ata të shpifin për udhëheqësit e tyre në qoftë se duan të shpëtojnë lëkurën e tyre.

Zotëri, shqiptarët nuk e matin personalitetin me kilogramët e mishit që kanë në trupin e tyre, por me forcën e karakterit dhe qëndrueshmërisë para të keqes.

Shqiptarët i nderojnë edhe udhëheqësit e tyre, por i duan dhe i nderojnë për ndershmërinë dhe forcën e tyre e jo për krimet, siç imagjinoni e deklaroni ju.

Dhe ndershmërinë dhe besnikërinë ne nuk e kemi ndaj klaneve, sepse të tillët nuk ekzistojnë tek ne, por ndaj vetvetes. Shqiptarët e nderojnë shumë veten e tyre, ndaj nuk mund ta përbaltin pse do një Dick Marty, me çfarëdo funksioni qoftë ai. Klanet kanë lindur atje tek ju dhe ne kemi mësuar për ekzistencën dhe funksionalitetin e tyre duke njohur historinë tuaj atje në Evropë. Te shqiptarët zotëri nuk ka “kumbarë të llumit” por udhëheqës të luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesi. Ne nuk lejojmë të na vihen të tjerët mbi kokë, qofshin ata edhe shqiptarë në shërbimin tuaj. Ju ose nuk e njihni karakterin e shqiptarëve, ose doni të bëni ashtu si bëni për t’i nëpërkëmbur ata, por nuk ka asgjë të vërtetë në ato që thoni ju në karakterin e shqiptarëve, prandaj është më e arsyeshme ta fshish atë pikën 172 të raportit.

Ndërsa në pikën 174, duke vënë në evidencë mospranimin e shqiptarëve për t’u bërë pjesë me ju e raportin tuaj, nxirrni një sekret, kur shpreheni: “E gjithë kjo ka për qëllim që t’u bëjë të mundur disa udhëheqësve politikë të shmangin në mënyrë të besueshme pohimet sipas të cilave UÇK-ja do ketë marrë pjesë në akte burgimi, torture dhe vrasje në Shqipëri, dhe t’i paraqesë si një “spektakël” i thjeshtë, orkestruar nga propaganda politike serbe, thënie serioze që meritojnë, siç e pamë, hetime shumë më të thella se ato që janë bërë gjer më sot”. Pra ju e dini se këto do të kuptohet se nuk janë tjetër vetëm “një spektakël” i thjesht, orkestruar nga propaganda politike serbe”. Për këtë më vjen mirë. Ju në fund tregoni se cili do të jetë fati i raportit tuaj. Pra ju e dini të vërtetën zotëri Marty. Sa turp për ju që shpifni dhe kërkoni t’i mbushni mendjen vetes duke u shprehur: “… Ne nuk u bëmë përhapës fjalësh të thjeshta lart e poshtë, por përshkruam fakte që mbështeten në dëshmi të shumta, në dokumente dhe fakte objektive”. Po zotëri Marty, bindeni veten se nuk jeni bërë një përhapës fjalësh, por në fakt ti e ke bindur të paktën gjithë kombin shqiptar që nuk je tjetër veçse një përhapës fjalësh.

Në gjithë rrjedhën e raportit të kësaj fjalologjie, ju thirreni në emër të nxjerrjes në dritë të të vërtetës, por e vërteta duket se për ju është ajo që ju keni dëshirë të vërtetohet. Me keqardhje mund t’iu them se atë të vërtetë që kërkoni, duke pretenduar se shqiptarët mund t’i largojë nga kriminaliteti vetëm arma dhe shkopi i policit serb, që e keni shprehur në mënyra të ndryshme gjatë raportit, nuk do të mund ta përjetoni kurrë. Shqiptarët nuk do të jenë më kurrë nën pushtimin e Serbisë. Të jeni i sigurt, mund të flisni si të doni e sa të doni, por nga pushtimi serb do të çlirohen edhe ato treva që akoma kanë mbetur të pushtuara. (Fund)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anel Rashkaj është deklaruar i kënaqur me grumbullimin te Kombëtarja…