Unioni i bizneseve shqiptaro-gjermane me platformë për vitin 2018
Kryesia e Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane, mbajti takimin e fundit të punës për vitin 2017.
“Në rikapitullimin e veprimtarisë së Unionit të bizneseve për vitin 2017, u rikujtua përkrahja e 143 studenteve nga Universiteti publik dhe 5 nga Kolegji Heimerer, me bursa vjetore, pjesëmarrja në panairin e punës në Prishtinë dhe punësimi i mese 60 punëkërkuesve nga Kosova, pjesëmarrja në takimet B2B, në bashkëpunim me OEGJK, ku si rezultat kemi nënshkrimin e 4 kontratave, vizita te kryeministri dhe presidenti i RKS, takimi me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, zt.Held, vizita ne ambasadën e Kosovës ne Gjermani dhe shumë e shumë aktivitete promovuese që UB i sollën se paku 70 anëtar të rinj”, thuhet në komunikatën e Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane.
Sipas kësaj komunikate, platforma strategjike e veprimit për vitin 2018 dhe strukturimi i mëtutjeshëm i shërbimit të administratës ishin një ndër pikat e rendit të ditës së këtij takimi.
“Unioni i bizneseve shqiptaro-gjermane, padyshim grupimi më i madh i afaristëve shqiptarë jashtë trevave etnike, në vitin 2018 do ketë një platformë gjithëpërfshirëse për bizneset edhe jashtë territorit të Gjermanisë”, thuhet në komunikatën e Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane.