Unioni i Bizneseve synon themelimin e bankës zhvillimore të diasporës
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka mbledhur 56 anëtarët Premium në takimin e tyre të parë të kësaj natyre.
Nazmi Viqa, kryetar i këtij unioni, ka shprehur konsideratë të lartë për anëtarët e Premiumit si dhe ka falënderuar për pjesëmarrje zëvendëskryeministrat e Kosovës, Fatmir Limaj e Dardan Gashi, ushtruesin e detyrës së ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Astrit Zemaj dhe konsullin e vendit tonë në Frankfurt, Ajvaz Berisha.
Fjalë përshëndetëse në këtë takim ka mbajtur edhe zëvendëskryetari i këtij unioni, Gani Nuha, si dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Bekim Brestovci, drejtor ekzekutiv i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka shpalosur para të pranishmëve platformën strategjike të këtij unioni si dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë 12 muajve të fundit.
Takimin e anëtarëve të këtij unioni e ka nderuar më prezencën e tij edhe afaristi shqiptar i përmasave botërore, Lazim Destani.
Shoqata joqeveritare “Germin” në këtë takim është përfaqësuar nga Liza Gashi. Ndërsa afaristja nga Zvicra, Merita Pinta ka sjellë përshëndetjet nga afaristët shqiptarë në Zvicër.
Prezantimi i veprimtarive të të gjithë anëtarëve Premium, prezent në takim ishte dëshmia më e madhe se shqiptarët afarist të mbledhur rreth Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, janë duke prekur majat e suksesit në shtetin gjerman.
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane do jetë një partner i denjë për realizimin e projekteve strategjike me rëndësi nacionale, ishte ky ishte zotimi i anëtarëve Premium, ndërsa nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës është shprehur gatishmëria për bashkëpunim të drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Anëtarët e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Zenun Krasniqi dhe Vllaznim Kelmendi, kanë sjellë shembujt e tyre konkret të investimeve kapitale në Kosovë si dhe kanë paraqitur përvojat e tyre të mira me importin e mallrave ushqimore dhe pijeve nga Kosova.
Firma “Nuha Bau” për kontributin e dhënë në vazhdimësi për Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane është dekoruar me mirënjohje.
Shumë ide për projekte të përbashkëta dhe gatishmëri e lartë për bashkimin e forcave ekonomike në realizim e të projekteve madhore siç është edhe banka zhvillimore e diasporës ishin pjesa më e vlerësuar e këtij takimi, të udhëhequr nga Nazmi Viqa.
/Epoka e re/